15 Korrik, 2022 - 12:51 pm
350 studentë vendorë e ndërkombëtar janë duke ndjekur Universitetin Veror Ndërkombëtar të Prishtinës. Nga ta, 200 janë ndërkombëtar, përfshirë edhe 17 profesorë.
Këto të dhëna, i ndau në Sytë 7, prorektorja e UP-së, Albulena Blakaj. E njëjta, tha se ka studentë nga shumë vende që nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, siç janë edhe nga Rusia, Serbia, Rumania, Greqia. Madje, Blakaj, shtoi se në Universitetin Veror të sivjetmë janë pranuar edhe nga Hong Kongu, Brazili e vende tjera të largëta. Por, sipas saj, nuk ka pasur të interesuar nga Ukraina, ndonëse të gjitha shpenzimet i ka mbuluar për ta Universiteti në bashkëpunim me donatorë e Ministri.
Blakaj, tha tutje se, veç misionit edukativ e arsimor që ka Universiteti Veror, në vete përmban edhe një mision diplomatik, për të ndikuar tek të angazhuarit ndërkombëtar. Kjo, meqenëse, sipas prorektores, përmbajtja e dy javëve, sa zgjat programi, ka aktivitete kulturore e vizita në lokacione të veçanta në gjithë Kosovën.
Blakaj, ka shtuar se studentëve do t’u ofrohet vizitë në Prekaz, tek Kullat Jashari, Prizren, e lokacione tjera. Për të njëjtit, do të shtrohet edhe darkë tradicionale gjatë mbrëmjes të së premtes. / KultPlus.com