21 Prill, 2022 - 1:19 pm
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Qëllimi i marrëveshjes së nënshkruar nga rektori i UP-së, Naser Sahiti dhe ministri, Liburn Aliu, është përcaktimi i kornizave të bashkëpunimit institucional në fushat me interes të përbashkët.
Përmes këtij bashkëpunimi, rektori Sahiti potencoi që UP-ja dhe Ministria mund të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme, si në: hartimin, aplikimin dhe zbatimin e projekteve, elaborateve dhe studimeve të përbashkëta; organizimin dhe realizimin e forumeve profesionale në fushat relevante për palët; realizimin e këshillimeve profesionale reciproke, ofrimin e mundësive për realizimin e praktikës profesionale për studentët; harmonizimin e përmbajtjeve mësimore me nevojat e tregut të punës dhe funksionalizimin e institucioneve të përbashkëta profesionale dhe shkencore.
“Bashkëpunimi i UP-së me Ministrinë mund të shtrihet edhe në kuadër të bordeve industriale që i kemi në fakultete, sidomos në drejtimet aplikative, ku mund të përfshihen edhe përfaqësues të Ministrisë, për të shkëmbyer përvoja dhe të kontribuojmë në mënyrë reciproke,” ka thënë rektori Sahiti.
Në anën tjetër, ministri Aliu theksoi se një marrëveshje e tillë është e domosdoshme për përmbushjen e objektivave të të dyja institucioneve dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale. Ai shtoi që Ministria do të vlerësonte në veçanti bashkëpunimin në nivel të ekspertizave nga ana e UP-së, ku nevoja për një autoritet profesional është shumë e shprehur.
Nënshkrimi i marrëveshjes zyrtarizon zotimin e të dyja palëve drejt implementimit të aktiviteteve të përbashkëta. / KultPlus.com