24 Qershor, 2020 - 4:30 pm
Zëvendësministri i Arsimit, i emëruar ditë më parë nga Qeveria, Driton Bardheci, është ende student i vitit të tretë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike.
Këtë e ka konfirmuar për KOHËN, dekani i këtij Fakulteti, Ahmet Shala.
Ai ka thënë se Bardheci i ka regjistruar studimet në vitin akademik 2015/2016.
“Ai është student i drejtimit inxhinieri industriale dhe menaxhment, ende nuk i ka përfunduar studimet për është afër përfundimit. Sa i përket suksesit të tij nuk mund të lëshohem në komente të tilla sepse ai ende nuk i ka përfunduar studimet”, ka thënë ai.
Emërimi i Bardhecit si zëvendësministër i Arsimit ka ngjallur reagime të shumta tek shoqëria civile e organizatat studentore.
“Koha” ka drejtuar pyetje në Qeverinë e Kosovës përse është emëruar zëvendësministër një person pa studime themelore dhe nëse do të anulohet ky vendim por deri tash nuk ka marrë përgjigje.
Ministri i Arsimit, Ramë Likaj nuk është përgjigjur që nga dje, ndërkaq shefi i kabinetit të tij, Gëzim Berisha ka thënë se deri tash i vetmi zëvendësministër i emëruar në MASH, është Bardheci.
“Kjo është informata që e kemi, nuk e kam pa që ka dalë sot në punë. Mirëpo për detaje tjera drejtohu te Qeveria sepse ata e kanë emëruar”, ka thënë ai përmes telefonit.
Edhe ushtruesi i detyrës së sekretarit të MASH, Agim Bërdyna ka thënë përmes telefonit se sipas informatave që i ka deri tash zëvendësministër në këtë institucion është vetëm Bardheci, por që sipas tij, ende s’ka marrë ndonjë dokument zyrtar për këtë.
Bardheci tash e disa vite është aktivist i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) njëherësh edhe kryetar i Rinisë së kësaj partie.
Ai një ditë më parë ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se është emëruar zëvendësministër i Arsimit, por më pas e ka mbyllur profilin e tij. “Sot, u emërova zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. E falënderoj kryetarin Ramush Haradinaj dhe strukturat e AAK-së për besimin e dhënë! Është nder dhe përgjegjësi e madhe për mua që t’i shërbej shtetit tim dhe gjithë juve që më mbështetët në çdo periudhë. Zotohem se do të përkushtohem plotësisht me të gjitha kapacitetet e mija njerëzore dhe profesionale, në mënyrë që të përballemi suksesshëm me të gjitha sfidat gjatë reformës së sistemit arsimor”, ka shkruar Bardheci në Facebook.
Ai që nga dje nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËN, rreth emërimit të tij. Koha.net / KultPlus.com