11 Mars, 2020 - 7:00 pm
Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit te Prishtinës “Hasan Prishtina” ka mbajtur sot ligjëratë informuese rreth COVID-19 ( Koronavirusi i ri 2019), përkatësisht mbi mënyrat e mbartjes dhe parandalimit të infeksionit me SARS-CoV-2.
Ligjëruesi Xhevat Jakupi, rejtor i Departamentit të Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, informoi në detaje rreth prejardhjes së virusit, familjes që i takon, llojit, përhapjes së SARS-CoV-2, si dhe çka pritet në të ardhmen në vend lidhur me këtë virus.
Përpos shpjegimeve shkencore, ai informoi edhe rreth masave që duhet të ndërmerren për të shmangur infektimin nga ky virus.
“Lani duart sa më shpesh me ujë të rrjedhshëm, minimumi 20 sekonda me sapun. Nëse nuk kemi mundësi për t’i larë duart me ujë të rrjedhshëm, duhet të përdorni antiseptik duke i fërkuar mirë duart për disa sekonda, derisa ato të thahen vetë. Duhet shmangur kontaktet me persona të sëmurë, me shenja të infeksionit”, tha ndër të tjerash Jakupi.
Për të shmangur turmat, UP-ja përmes Laboratorit të Medias “MediaLab”, ka transmetuar drejtpërdrejtë ligjëratën në rrjetin social Facebook, e cila është e qasshme në: https://bit.ly/36IZbSF
Ndërkaq, edhe disa profesorë të UP-së kanë transmetuar gjatë orëve mësimore të ndryshme drejtpërdrejtë ligjëratën në fjalë, duke i kushtuar orën kësaj tematike dhe duke e ndjekur atë bashkë me studentët.
Në amfiteatrin ku u mbajt ligjërata, të pranishëm ishin: rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, dekanë dhe pjesëtarë të tjerë të stafeve menaxheriale të fakulteteve, staf administrativ dhe studentë, transmeton Klan Kosova / KultPlus.com.