19 Korrik, 2022 - 5:30 pm
Me qëllim të krijimit, zhvillimit dhe forcimit të bashkëpunimit të dyanshëm në fushën e avancimit rajonal, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.
Marrëveshja e nënshkruar nga rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, dhe ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, vë në fokus aspektet dhe fushat e ndryshme të bashkëpunimit, si dhe koordinimin ndërinstitucional të aktiviteteve për arritje të objektivave të përbashkëta.
Bashkëpunimi i të dyja institucioneve, i bazuar në këtë marrëveshje, prioritizon promovimin e një rritjeje të balancuar socio-ekonomike rajonale në Kosovë, në përputhje me objektivat e UP-së dhe MZHR-së.
Marrëveshja parasheh edhe zbatimin e projekteve për zhvillim rajonal, përmes mekanizmave të ndryshëm, siç janë: trajnimet, grupet punuese, hulumtimet, seminaret, punëtoritë dhe vizita të përbashkëta studimore. / KultPlus.com