16 Prill, 2020 - 7:25 pm
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” po vazhdon t’u japë ndihmë institucioneve shëndetësore në luftimin e pandemisë.
Përmes një komunikate të lëshuar të enjten, UP-ja ka bërë të ditur se ka vënë në funksion gjitha resurset. Po ashtu, ka bërë të ditur si i ka ofruar Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik disa pajisje KOHA.
“Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, që nga përhapja e pandemisë COVID-19 në vendin tonë, ka vënë në funksion resurset humane dhe ato materiale në ndihmë të institucioneve dhe komunitetit, me mision tejkalimin e situatës së krijuar sa më parë dhe me më pak pasoja. Në kuadër të kësaj, Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë në UP, ka kultivuar bashkëpunim të ngushtë dhe të vazhdueshëm me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, për t’i shërbyer interesit të përbashkët për mbrojtjen e shëndetit publik”, thuhet në komunikatë.
UP-ja ka cituar edhe profesorin Kurtesh Sherifi, të ketë thënë: “Fakulteti ynë ka përkrah IKShPK-në me kite për 500 mostra për ekstrahim të ARN-së së virusit në realizimin e metodës molekular-biologjike RT-PCR, si dhe me huazim të pajisjes Thermocycler për amplifikim dhe detektim të gjenomit të virusit”.
Sipas tij, FBV-ja, po ashtu, i ka dhënë si huazim Institutit, për një kohë të pacaktuar disa pajisje laboratorike, si: centrifugë, termomikser, vorteks, pipeta dhe tri lampa UV për dekontaminim të kabineteve mikrobiologjike, pra aty ku testohen mostrat për analiza molekulare-biologjike me RT-PCR.
“Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë njëherësh ka shprehur vullnetin që në rast të nevojës, ata mund të shërbejnë edhe me staf profesional, të cilët mund ta ndihmojnë Departamentin e Mikrobiologjisë Molekulare në kuadër të institutit, në testimin e mostrave të pacientëve me SARS-CoV-2”, thuhet tutje në komunikatën e UP-së.