20 Shkurt, 2024 - 4:30 pm
Rubrika e kujtesës “Amarcord”, përmes të cilës DRTK Shkodër prezanton me pasuritë arkitektonike të Qarkut Shkodër, kësaj here sjell në vëmendje Urën e Vezirit. Ajo është ndër veprat inxhinierike publike të vezirëve Bushatllinj, e ndërtuar në 1770 nga vetë Mehmet Pashë Bushatlliu.
Ura u ndërtua mbi lumin Drin. Punimet zgjatën disa vjet. Aja ishte 200 m e gjatë dhe e pajisur me 7 qemere shkarkuese të madhësive të ndryshme, ku harku më i lartë arrinte deri në 20 m nga shtrati i lumit.
Me gjasë, ura më e madhe osmane e ndërtuar në vend deri në fillim të shek. XIX, para se Urës së Mesit t’i shtoheshin dhe harqe të tjera.
Ura e Vezirit u bë nyja kryesore lidhëse e rrugëve tregtare të periudhës së Pashallëqeve si ajo Shkodër-Prizren, Shkodër-Gjakovë, pas zgjerimit të autoritetit të Bushatllinjve edhe në territoret që më parë njihnin si zotër Begollajt e Pejës.
Në kujtimet e veta, Edith Durham shkruan: “Ura e Vezirit, një urë madhështore me shtatë harqe, të gjitha të ndryshme, por efekti në tërësi ishte i mahnitshëm. Ajo është një vepër e një artisti të madh, sepse nuk mund të parafytyrohet gjë më e harmonizuar, me panoramën përreth”.
Në 1914, forcat serbe, në rrugëtimin pushtues drejt Shqipërisë, të ndjekura nga ushtritë austro-hungareze, e minuan dhe e shkatërruan pjesërisht, duke e bërë të pakalueshme. Në 1978, u shkatërrua përfundimisht me tritol, si rezultat i ndërtimit të Liqenit dhe hidrocentralit të Fierzës.
Fotoja e sjellë nga DRTK Shkodër është realizuar nga Ernst Jackh në vitin 1910. / KultPlus.com