Ushtarët e FSK-së stërviten nga ekipi për kërkim-shpëtim i Mbretërisë së Bashkuar

13 Shkurt, 2022 - 11:25 pm

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se ekipi britanik ka stërvitur ushtarët e Kosovës për kërkim-shpëtim dhe reagim ndaj fatkeqësive, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Mehaj ka bërë të ditur se ekipi për kërkim-shpëtim i Mbretërisë së Bashkuar, i cili vlerësohet si njëri nga më të mirët në botë, ka stërvitur ushtarët e FSK-së.

“Ekipi nga Kërkimi dhe Shpëtimi Ndërkombëtar i Mbretërisë së Bashkuar (UKISAR) realizoi trajnime në mot të ftohtë dhe reagim ndaj fatkeqësive së bashku me stafin e Qendrës Trajnuese Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit të FSK-së në Pomozatin (SARTC – QNTKSH).Ata simuluan shumë skenarë të reagimit ndaj fatkeqësive. Këto përfshinin përdorimin e objekteve stërvitore në SARTC – QNTKSH për të kryer kërkime në rrënoja pas një tërmeti, trajtimin e viktimave dhe evakuimin pas një përplasjeje të madhe të trafikut rrugor dhe në terren”, shkroi Mehaj.

Ai ka njoftuar se udhëheqësit e ekipit britanik e vlerësuan Qendrën e Kosovës në Pomozatin si qendër trajnimi e klasit botëror. /KultPlus.com

Të ngjajshme