7 Tetor, 2020 - 10:26 pm
Një ushtare amerikane është ribashkuar në New York me një qen të cilin e kishte mbajtur për disa muaj sa ishte me shërbim në Kosovë.
“Isha nervoze sepse ishte një qen që po vinte tek unë, por e pash nga mënyra se si po më afrohej se ai donte një mikeshë. Nuk kishte askënd e asgjë me vete”, ka thënë Erin Gutherie, rreshtere e Gardës Kombëtare të Oregonit për “CBS2”. “U ndjeva e nderuar që ai erdhi tek unë, dhe ndiej se kam një lidhje të fortë me të”.
28-vjeçarja ishte me mision paqeruajtës në Kosovë për tetë muaj. Duke mbajtur qenin ajo ndihej mirë edhe pse ishte larg shtëpisë.
“Ndjenja që e kisha atë afër me të vërtetë më sillte kënaqësi në një situatë shumë të rëndë”, ka thënë ajo.
Kur ajo ishte larguar nga Kosova javë më parë, vazhdoi të mendonte për qenin, të cilin e kishte quajtur Meeka.
“Nisa të kërkoja për një qen kur isha në karantinë në rrugën për shtëpi. Kërkova për disa ditë, dhe thjesht doja të kisha një qen”, ka shtuar ajo.
Gutherie përmes organizatës për mbrojtjen e kafshëve “Paws of War”, arriti të grumbullonte 6000 dollarë për të marrë Meekan në Shtetet e Bashkuara dhe për t’u ribashkuar me të.
“Ka pasur shumë pengesa, shumë dokumente, ka një proces që kalon në të. Por mendojmë se ia kishte vlejtur e gjitha, dhe me të gjitha të këqijat që po ndodhin në botë, kjo ishte diçka që na kthen kah e mira”, ka thënë themeluesi i “Paws of War”, Robert Misseri.
Me të arritur te pronarja, qeni nga Kosova u vërejt i lumtur për ribashkimin.
“Isha nervoze se mos s’do të më njihte, por fakti që erdhi në të njëjtën mënyrë dhe më njeh, më bën të ndihem për mrekulli”, ka shtuar Gutherie.
Emri Meeka, siç ka përshkruar Gutherie, është bazuar në fjalën shqipe “mike”./ KultPlus.com