12 Nëntor, 2022 - 10:45 pm
Qyteti holandez i Utrehtit, i njohur edhe si vendi i biçikletave, renditet i pari në mesin e qyteteve më miqësore për biçikletat në botë.
Kompania e sigurime digjitale “Luko” publikoi listën e qyteteve më miqësore për biçikletat në botë “Indeksi Global i Qyteteve të Biçikletave 2022”. Gjatë përgatitjes së këtij indeksi, u morën parasysh klima, norma e përdorimit të biçikletave, siguria, infrastruktura, mundësitë e ndarjes dhe dhënies me qira si dhe aktivitetet miqësore për biçikletat.
Qyteti holandez Utrecht u rendit i pari edhe këtë vit në mesin 90 vendeve me 77,84 pikë. Kryeqyteti Amsterdam u rendit i pesti.
Kryetari i Unionit të Biçiklistëve të Holandës në Utrecht, Peter van Bekkum u shpreh i kënaqur dhe krenar për punën shumëvjeçare të Komunës së Utrecht-it për të përgatitur një infrastrukturë më të mirë për ngasësit e biçikletave.
“Dëshirojmë t’u ndihmojmë njerëzve me të ardhura më të ulëta që të marrin biçikleta dhe të zhvillojmë punime për të dhënë kurse të ngasjes së biçikletës së bashku me Koalicionin e Biçikletave të Utrecht-it me sloganin ‘I gjithë Utrecht-i nget biçikletë’. Dëshirojmë që gjithkush të mund të përfitojë nga avantazhet që qyteti i biçikletës Utrechti ofron”, tha Van Bekkum.
Ngasësja e biçikletës, Marthe van Mosselveld, duke theksuar se ka mësuar të ngasë biçikletë në moshë të re në Utrecht ku edhe është lindur, tha se “Kur jetoni në Utrecht me të vërtetë mësoni të ngisni biçikletë. Këtu mund të shihni fëmijët e vegjël që kanë mësuar të ngasin biçikletë. Prindërit i marrin masat e nevojshme dhe kujdesen”.
Bob Gutjahr tërhoqi vëmendjen se Utrechti ka shtigje shumë të gjata për biçikleta. “Nëse shikoni përreth do ta vërreni këtë. Për momentin të gjithë i çojnë fëmijët e tyre në shkollë me biçikletë dhe kjo po shkon mjaft mirë. Çdo ditë i çoj dhe i marr fëmijët e mi në shkollë. Kjo është mjaft e përshtatshme. Sipas mendimit kjo u pëlqen edhe fëmijëve”, tha ai.
Shtegu i parë i biçikletave në vend u hap në vitin 1885 në rrugën “Maliebaan” në Utrecht.
Në Utrecht çdo ditë mbi 125 mijë persona shkojnë me biçikletë në punë, shkollë, stacionin e trenit dhe në shoping, numër i cili rritet dita ditës.
Tri nga shtigjet më të frekuentuara të biçikletës në Holandë gjenden në Utrecht, më e ngarkuara prej të cilëve është ajo në rrugën “Vredenburg”.
Parku më i madh i biçikletave në botë
“Parku i Biçikletave në Sheshin e Stacionit” që gjendet nën Sheshin e Stacionit pranë Stacionit të Trenave në Utrecht është “parku më i madh i biçikletave në botë” me një kapacitet prej 12.500 biçikletave.
Kati përdhes dhe i fundit i parkut trekatësh i lartë 350 metra mund të shfrytëzohen nga ata që parkojnë biçikletat e tyre çdo ditë ndërsa kati i mesëm me kapacitet prej 1.800 biçikletash mund të përdoret nga abonentët.
Në parkun e hapur natë e ditë dhe pa pagesë për 24 orët e para, nëse biçikleta është e parkuar për më shumë se një ditë, duhet paguar 1.35 euro në ditë duke filluar nga dita e dytë. Ata që janë abonentë të parkut paguajnë 80 euro në vit.
Pas Utrecht-it në renditjen e qyteteve më miqësore për biçikletat në botë renditen qyteti Münsteri i Gjermanisë, Anversi i Belgjikës, Kopenhaga e Danimarkës dhe Amsterdami i Holandës.
Holanda, “vendi i biçikletave”
Biçikleta është pjesë e jetës së përditshme në Holandë, një mjet që përdoret prej moshës 7 e deri në 70-vjeç nga të gjithë.
Holanda me një popullsi prej 17 milionë banorësh, njihet si “vendi i biçikletave” me 23 milionë biçikleta dhe mesatarisht 1.3 biçikleta për person në mbarë botën.
Pjesa dërmuese e popullatës, e cila njihet me biçikletën që në moshë fëmijërore, përdor biçikletë të dorës së dytë.
Në Holandë ku ka 37 mijë kilometra shtigje biçikletash që i afrohen gjerësisë së perimetrit të botës, me biçikletë udhëtohet mesatarisht 888 kilometra për person në vit dhe afërsisht 15 miliardë kilometra në vit në të gjithë vendin. /atsh /KultPlus.com