6 Shkurt, 2021 - 4:27 pm
Veshjet kombëtare shqiptare janë ndoshta krenaria më e madhe e këtij kombi.
Kush i vesh, e kupton mirë emocionin që japin veshjet kombëtare, të cilat për vite kanë karakterizuar shqiptarët dhe trevat e ndryshme shqiptare.
Në përvjetorin e 7-të, të vdekjes së Vaçe Zelës, këngëtares së madhe shqiptare, KultPlus ju sjell një fotografi të saj ku ajo është e veshur në kostum tradicional shqiptar.
Vaçe Zela mbetet ndër zërat më të mirë ndër tërë shqiptarët.
E lindur në Lushnjë, ajo mbetet krenaria e kombit shqiptar por edhe një grua me personalitet dhe me emocion hyjnor. E kur e shohim në veshje të tillë, fytyrë-krenare, veç e duam më shumë këtë Artiste të Merituar të Popullit.
Tipet kryesore të veshjeve popullore shqiptare për burra janë: kostumi me fustanellë, kostumi me këmishë të gjatë e dollamë (cibun), sipër kostumi me tirq dhe ai me poture (pantallona të shkurtra deri te gjuri). Pra, në Shqipëri, burrat kanë mbajtur si veshjet në formën e një fundi të gjerë, ashtu edhe ato në formë pantallonash, por të parat kanë dalë nga përdorimi më herët se të tjerat. Pjesët më të zbukuruara ishin jelekët dhe xhamadanët e kostumit festiv. Burrat shqiptarë mbanin edhe stoli të ndryshme argjendi, si jastekë gjoksi, sumbulla dekorative tek jelekët, unaza, pipa e kuti cigaresh, por mbi të gjitha, armët e brezit e të krahut, që ishin gjithnjë të stolisura pasurisht.
Për gra, tipet kryesore të veshjeve, ishin: kostumi me xhubletë (një fund në formë këmbane), kostumi më këmishë të gjatë e xhokë shajaku sipër, kostumi me dy futa të vendosura mbi këmishën e gjatë, njëra përpara e tjetra prapa dhe kostumi me mbështjellëse (një fund i hapur, i mbledhur tek beli me rrudha ose pala). / KultPlus.com