Vajzat dhe gratë e Kosovës që shkëlqyen në botë – Kiana Kryeziu

8 Mars, 2022 - 1:56 pm

KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.

Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.

Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.

Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.

KultPlus ju sjell në vazhdim Kiana Kryeziun, e cila shkroi histori duke u bërë vajza e parë nga Kosova që kualifikohet në lojërat Olimpike Dimërore. Kryeziu pati një eksperiencë të veçantë në këto lojëra, derisa kontributi i saj për sportin e skijimit dhe njohjen ndërkombëtare të vendit ishte shumë i madh.

Në garën e saj të parë, një konkurencë të fortë, Kryeziu u rendit e 49-ta nga 82 pjesëmarrëse, me kohë 1 minutë, 18.78 sekonda. Në anën tjetër, në disiplinën e sllallomit të madh, ajo zuri vendin e 49-të nga 82 garues total me kohë 2 minuta e 42.19 sekonda. /KultPlus.com

Të ngjajshme