26 Gusht, 2024 - 10:04 am
Presidenti Bajram Begaj ishte në fshatin Vajzë të Vlorës i ftuar në festivalin historik, kulturor dhe artistik “Vajzë Festë 2024”.
Gjatë kësaj vizite, Presidenti i Republikës u prit nga banorët e zonës dhe personalitetet pjesëmarrës në aktivitetin që zhvillohet prej dy vitesh, por që ka marrë përmasa kombëtare.
Presidenti Begaj nderoi atdhetarin Ali Asllani, birin e Vajzës, një personalitet i njohur shqiptar në politikë dhe letërsi, duke vendosur lule në bustin e tij të ngritur nga vetë banorët e fshatit.
Presidenti i Republikës vendosi buqeta lulesh edhe në lapidarin kushtuar dëshmorëve të Luftës së Vlorës dhe të Luftës së Dytë Botërore si edhe në bustin e Heroit të Populliit Perlat Rexhepi.
Kreu i Shtetit zhvilloi vizita në Vatrën e Re të Kulturës, në një sipërmarrje agroturizmi, si dhe në Parkun Arkeologjik të Amantias.
Ndërkohë, gjatë fjalës përshëndetëse në “Vajzë Fest” Presidenti i Republikës foli për rëndësinë e nismave të tilla që nxisin zhvillimin e mëtejshëm të fshatrave shqiptare, ruatjen e traditave dhe afrimin e vizitorëve të huaj për promovimin ndërkombëtar të trashëgimisë historike dhe kulturore.
“Fshati Vajzë është më shumë se një emër në hartë, është vendlindja e Ali Asllanit, poetit të ndritshëm të këtyre anëve. Poezia e tij është pjesë dhe reflektim psikologjik e gjuhësor i Labërisë. Vepra e tij poetike të magjeps nga forca e shprehjes së drejtpërdrejtë, duke u bërë zëri i ngjarjeve të rëndësishme të historisë sonë. Është një nder i madh që të shkel në shtegun e poezive e në të njëjtat rrugë ku ai frymëzohej dhe krijonte”, tha Begaj.
Presidenti vlerësoi se Festivali i Vajzës në këtë edicion të dytë është dëshmi e fuqisë së dashurisë për rrënjët.
“Nëpërmjet artit dhe kulturës ne mund të rikthejmë gjallërinë në zemrat e komuniteteve tona. Rijetësimi i fshatrave përmes artit dhe kulturës nuk është thjesht një iniciativë estetike. Është një akt i përkushtimit dhe dashurisë për vendlindjen. Festivali është edhe një urë që lidh të kaluarën me të ardhmen, ku tradita dhe moderniteti bashkohen për të krijuar një realitet të ri, të mbushur me mundësi dhe shpresë”, shtoi Begaj./atsh/KultPlus.com