Vakarici, qyteza arbëreshe e themeluar rreth vitit 1470

17 Maj, 2021 - 8:58 pm

Vakarici, kjo qytezë arbëreshe me mbi 1300 banorë në provincën e Cosenzës në Kalabri, themeluar rreth vitit 1470, pas vdekjes së heroit tonë kombëtar, një bust i lartë i të cilit nderon figurën e tij po në sheshin “Skanderbeg”.

Pasi kishim vizituar disa nga katunde arbëreshe, sapo kaloi një autobus që lidh këto vendbanimeve, e që në dy anët e tij ishte shqiponja dykrenare, u shfaq një tabelë me mbishkrimin: shqip e italisht Vakarici/ Vaccarizzo Albanese, e në te krahas emblemës së vendbanimit edhe një vajzë me veshje tipike arbëreshe. Dhe posa arritëm në sheshin e Vakaricës, si edhe në shumicën e fshatrave arbëreshe na priti një bust i Skënderbeut, por për dallim nga të tjerët ai ishte ngritur me shtylla në një lartësi thuaja se mbi dykatëshe.

Në muzeun e Vakaricës dominojnë kostumet kombëtare, thuaja se unike në Kalabri, madje disa nga to edhe nga arbëreshët e Sicilisë por edhe trojeve etnike shqiptare tej Adriatikut.

Po në ndërtesën e këtij muzeu krahas flamurit italian valojnë edhe flamuri shqiptar dhe ai i bashkimit evropian. Po aty hasëm edhe në foto të hershme që tregojnë zhvillimet e jetës arbëreshe në këtë anë, sidomos atë kulturore kur prej vitesh Vakarici kishte edhe një bandë të vetën muzikore edhe atë në vitet 1920-1925.

Për ruajtjen e traditës së kostumeve arbëreshe në Vakarici, flet edhe vet fakti së këtu, çdo vit në Prill, zhvillohet Festivali Kombëtar i Kostumit Arbëresh. Kjo ngjarje lindi në 1982 me urdhër të papas Giuseppe Faraco dhe administratës komunale të kohës.

Festivali është një mundësi për të promovuar dhe forcuar trashëgiminë kulturore arbëreshe. Sipas një shkrimi në një revistë lokale, në ditët e ngjarjes së këtij festivali, ju mund të merrni pjesë në konferenca, ekspozita dhe sfilata të kostumeve tradicionale nga shumë komunitete arbëreshe. Për më tepër, në mbrëmje, vallëzimi dhe këndimi tradicional nga grupet e pranishme dhe shijimi i pjatave dhe ëmbëlsirave tipike.

Për fat të keq edhe ky manifestim, për shkak të pandemisë, si edhe shumë manifestime arbëreshe nuk mundi të zhvillohej vjet dhe sivjet./ Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati/ KultPlus.com

Të ngjajshme