10 Tetor, 2024 - 8:59 am
Një mozaik natyror magjepsës të ofron në këto ditë vjeshte Lugina e Valbonës, një prej mrekullive të papërsëritshme të natyrës alpine shqiptare.
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur vizituesit e shumtë në Parkun Kombëtar të Valbonës, të cilët shijojnë ecjet në shtigje duke e bërë turizmin e këtyre anëve gjithëvjetor, për të ftuar këdo të eksplorojë këtë destinacion turistik pjesë e Alpeve tona.
“Turistët nga Valbona shijojnë ecjet në shtigje duke e bërë turizmin e këtyre anëve gjithëvjetor”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.
Vjeshta me temperaturat e ngrohta që ka dhuruar këtë vit ka sjellë atmosferë magjike, ndërsa nuancat e ngjyrave të tokës kanë mbuluar gjithë luginën e Valbonës.
Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar në rrethin e Tropojës,madje nga më të vizituarat në Alpet shqiptare pas luginës së Thethit.
Kjo zonë me bukuri të rralla është e preferuar jo vetëm nga turistët vendas por edhe nga turistët e huaj, të cilët parapëlqejnë të njihen edhe me zakonet apo traditat e fshatrave më veriorë të vendit.
Ajo shtrihet në qendër të Alpeve Shqiptare, në rrethin Tropojës. La statusin e Parkut Nacional dhe përfshihet në një sipërfaqe prej 8.000 hektarësh.
Natyra e këtij parku është e pasur me varietete të përshtatshme për turizëm, peshkim e alpinizëm. Në pjesën e brendshme të Parkut ka mjaft shpella interesante, nga të cilat dallohet Shpella e Dragobisë. Ka një klimë malore me dimër të ashpër e reshje të pasura shiu e bore dhe me temperatura të ulëta, si dhe periudha të gjata me ngrica dhe erëra.
Vizitorë të shumtë të ardhur nga vende të ndryshme të botës, si dhe të tjerë të ardhur nga vise të ndryshme të vendit e Kosova, janë të pranishëm çdo ditë në pikën turistike gjithëvjetore të Valbonës, një zonë turistike që ka fituar një emër të mirë, përmes mikpritjes dhe qetësisë që ajo ofron.
Udhëtimi nis përmes Drinit deri në Tropojë e më pas Valbona është vetëm 45 minuta larg. Lumi do të jetë shoqërues rruge deri në burimin e vet.
Kaltërsia e Valbonës, është si e asnjë lumi tjetër. Teksa udhëton, kaltërsia e lumit të magjeps, ndërkohë në të dy krahët ngrihen malet e larta që edhe në fillim të verës vazhdojnë ti kenë majat e mbuluara me dëborë./atsh/KultPlus.com