Valë graviteti të vrimës së zezë gllabëruese zbulohen në Tokë

1 Korrik, 2021 - 3:27 pm

“Jemi duke folur për objekte që janë më të mëdha sesa dielli, të cilat janë zhdukur shpejt”, ka thënë Vivien Raymond, eksperte nga Instituti për Eksplorim të Gravitetit në Universitetin e Cardiffit. “Do të dëshironim që yjet neutrone të copëtoheshin, sepse atëherë ka shumë mundësi për fizikë interesante, por mendojmë se këto vrima të zeza ishin mjaft të mëdha saqë gëlltisnin yjet e neutronit të tërë”, ka shtuar ajo për të përditshmen britanike “Guardian”

Janë disa momente kur jeta si astrolog ngjason sikurse të priturit në një stacion autobusi. Prisni me vite për një ngjarje kataklizmike kozmike për t’i dërguar valët tronditëse nëpër fabrikën e hapësirës kohore dhe krejt përnjëherësh të vijnë dy.

Vite pasi që shkencëtarët i nisën studimet e tyre për dridhjet në hapësirën kohore të parashikuar nga Albert Einsteini, vrojtuesit e valëve gravitacionale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të Evropë kanë vërejtur sinjalet e para nga dy yje neutrone që janë përplasur në vrimat e zeza qindra miliona vjet dritë larg.

“Jemi duke folur për objekte që janë më të mëdha sesa dielli, të cilat janë zhdukur shpejt”, ka thënë Vivien Raymond, eksperte nga Instituti për Eksplorim të Gravitetit në Universitetin e Cardiffit. “Do të dëshironim që yjet neutrone të copëtoheshin, sepse atëherë ka shumë mundësi për fizikë interesante, por mendojmë se këto vrima të zeza ishin mjaft të mëdha saqë gëlltisnin yjet e neutronit të tërë”, ka shtuar ajo për të përditshmen britanike “Guardian”.

Përplasja e parë, e quajtur GW200105, ishte vërejtur në të dhënat e regjistruara në 5 janar të 2020-s nga Observatori i Valëve Gravitacionale të Ndërhyrësit të Laserit në SHBA (Ligo). Valët gravitacionale të lëshuara nga ngjarja sugjerojnë që një yll neutron dy herë më i madh sesa dielli ka rënë në një vrimë të zezë nëntë herë më të madhe sesa dielli. Duke lëvizur me shpejtësinë e dritës, këtyre valëve gravitacionale, të cilat shtrydhin dhe shtrijnë kohën hapësinore, përderisa kalojnë nëpër univers, do të duheshin 900 milionë vjet për të arritur në Tokë.

Image

Dhjetë ditë më pas vrojtuesi i valëve gravitacionale në Ligo dhe Virgo të Italisë ka regjistruar një sinjal të dytë, të quajtur GW200115, që ishte prodhuar kur një yll neutroni, 50 për qind më i madh sesa dielli, kishte rënë në vrimën e zezë që ishte gjashtë herë më e madhe sesa dielli. Ndodhia ishte edhe më e largët sesa e para, me 1 miliard vjet dritë, ka shkruar gazeta.

Vrimat e zeza dhe yjet e neutroneve janë ato që mbeten pas, kur yjet arrijnë fundin e jetës së tyre dhe përhumben nën gravitetin e tyre. Në disa raste lindin si çift, në sistemet binare të yjeve, ku një yll orbiton një tjetër. Yjet neutrone janë ndër objektet më ekzotike në univers. Janë aq të dendur saqë një lugë çaji me yll neutron peshon sa Mount Everesti.

Valët gravitacionale kalojnë nëpër Tokë gjatë gjithë kohës, por dridhjet në kohën hapësinore janë shumë delikate për t’u zbuluar, nëse nuk shkaktohen nga përplasjet midis objekteve jashtëzakonisht të mëdha. Shkencëtarët raportuan zbulimin e parë të valëve gravitacionale nga përplasja e dy vrimave të zeza më 2016 dhe që atëherë kanë pikasur valë nga bashkimet e yjeve neutrone. Sipas “Guardian”, regjistrimi i valëve të gravitacionit nga yjet neutrone që godasin vrimat e zeza shënon një zbulim të ri.

“Me këto ngjarje kemi përfunduar pamjen e bashkimeve të mundshme midis vrimave të zeza dhe yjeve të neutronit”, ka thënë Chase Kimball, student i diplomuar në Universitetin e Northwesternit në Illinois. “Kjo nuk do të thotë që nuk ka mundësi të bëhen zbulime të reja në lidhje me valët gravitacionale. Ka shumë burime të valëve të gravitacionit që ne ende nuk i kemi zbuluar, nga valët e vazhdueshme nga yjet neutronë që rrotullohen me shpejtësi, deri te shpërthimet nga supernovat e afërta dhe jam i sigurt që universi mund të gjejë mënyra për të na befasuar”, ka theksuar ai për “Guardian”. / Koha.net / KultPlus.com

Të ngjajshme