Vallet dhe muzika në Fokus: Si u kremtua dita e pestë e Etnofest

15 Gusht, 2024 - 5:19 pm

Etnofest vazhdoi me aktivitetet e tij të pasura edhe në ditën e pestë, duke sjellë një përvojë të veçantë për të gjithë të pranishmit. Ekspozitat e hapura janë të pozicionuara në disa nga hapsirat e etnofestit, ndër të cilat veçohej ajo e artistës Teuta Ibriqaj, e cila u prit me interes të madh nga vizitorët.

Shkruan: Alisa Buzhala

Ekspozita grafike ‘Gjurmë lumturie’ risolli detaje nga koha e lashtë antike duke i formsuar në formën moderne, fragmenteve të tyre.

Në vazhdim të aktiviteteve të festivalit, ansamblet tradicionale pasurojnë programin. Me elementet e veshjeve si fustanet e shamitë, pantallonat e plisat, në harmoni me tingujt e melodive, vallja shqiptare mbetet një komponent tjetër i rëndësishëm i kulturës sonë, sidomos i festave tona.

Mbrëmja e natës së katërt u hap nga ansambli “Zëri i Kamenicës”, i cili performoi para një audience të madhe disa nga vallet më të njohura, përfshirë edhe vallen e Rugovës.

 Udhëheqësi i këtij aktiviteti, Dilaver Kryeziu, në fund të paraqitjes skenike të valltarëve, siguroi që publiku të merrte një përvojë, duke demonstruar hapat bazë të valleve tradicionale.

Ai gjithashtu kërkoi, si bashkëpunëtor artistik i këtij edicioni, që vitin e ardhshëm, ky festival të shndërrohet edhe në shkollë artistike, me kurse e trajnime mbi pjesë të ndryshme të paraqitjeve skenike.

Etno-ansamble të tjera nga trevat e ndryshme priten të jenë prezent në festival gjatë ditëve në vazhdim.

Ndërkaq, etno-neja, në natën e 5-të të këtij edicioni ishte pak më ndryshe nga netët paraprake. Organizatorët ishin siguruar të risillnin në skenë pas shumë vitesh, rock grupet ‘Tonic dhe Gjinis’, të cilët interpretuan këngë të vjetra të viteve të 80-ta, e që risollën një atmosferë nostalgjike mbi kulturën muzikore në ato vite, si hite të dëgjuara e popullarizuara nga të rinjtë në atë kohë.

E për t’i dhënë krejtësisht një kahje tjetër kësaj nate magjike, after party i festivalit u elektrizua nga repertori i muzikës dhe miksimeve të këngëve nga DJ Caboo.

Me këngën ‘Baresha’, Caboo dëshmoi edhe një herë që përpunimi i këngëve të vjetra dhe risjellja e tyre në forma të reja të muzikës bashkëkohore, të asaj që tashmë njihet si elektro/house, i jep kulturës sonë një dimension unik dhe mundëson ruajtjen e thelbit artistik shqiptar.

Kështu, dita e pestë e Etnofest u mbyll në mesnatë nën ndriçimin e terasës së kompleksit në Kukaj, duke lënë dëshmi në zhvillimin e horizontit kulturor në Kosovë dhe rajon./KultPlus.com

Të ngjajshme