16 Korrik, 2024 - 4:30 pm
Çfarë duhet të shihni në Shqipëri për të kaluar pushime autentike? Vitet e fundit, ky vend i vogël ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve: atyre që kanë shkuar atje, atyre që kanë vendosur të shkojnë dhe atyre që ende nuk e kanë kuptuar pse duhet ta vizitojnë atë, shkruan Carolina Saporiti në të përditshmen italiane “Vanity Fair”.
U njohëm me Fjona Cakallin – krijuese e përmbajtjeve në fushën e teknologjisë dhe automobilave, e lindur në Shqipëri dhe e transferuar në Itali me familjen e saj në moshën 4-vjeçare – për të na treguar për mrekullitë e vendit të saj, tani që ka vendosur t’i zbulojë vetë, duke organizuar turne në vendlindjen e saj.
“Kur isha e vogël më ofendonin duke më quajtur shqiptare. Vendosa të bëj integrimin në të kundërt dhe të sjell italianët të shohin se çfarë është Shqipëria – që është shumë më tepër se plazhet”, tha Fjona.
Por ndoshta gjëja e parë që duhet ditur për këtë vend të vogël është se ai ka 3 milionë banorë – dhe 5 milionë shqiptarë të tjerë kanë emigruar dhe jetojnë në vende të ndryshme të botës.
Kjo pa dyshim që i bëri shumë krenarë dhe shumë të lidhur me tokën e tyre, si ata që emigruan, ashtu edhe ata që mbetën në atdhe.
Shqipëria, natyra e egër
Pra, çfarë të zbuloni në Shqipëri? I kërkuam Fjonës të na tregonte vendet e saj të preferuara në Shqipëri, ato më autentiket, ku mund të zbulojmë thelbin e vendit, kulturën dhe traditat e tij.
“Bukuria e Shqipërisë është mbi të gjitha në natyrën e saj. Ata që i duan vendet e egra, ata që kërkojnë autenticitetin përpara rehatisë, do të gjejnë një thesar këtu, veçanërisht në veri”, tha Fjona.
“Plazhet e Shqipërisë janë një destinacion i ri për italianët – por ato kanë qenë gjithmonë të njohura në vendet e tjera të Ballkanit që nuk kanë dalje në det. Për mua surpriza e vërtetë është brendësia”, shtoi ajo.
Në veri, lumi i bukur i Shalës (Lumi i Shalës) dhe Parku Kombëtar i Thethit ia vlen të vizitohen – me shpella, ujëvara, pyje dhe livadhe. Ju mund të akomodeoheni në shtëpitë lokale të shndërruara në bujtina dhe të harroni botën.
“Shqipëria është një vend që kampistët do ta pëlqejnë shumë – pasi mund të flini ku të doni. Është një vend i paorganizuar, mos prisni standarde të larta, por mund të jetoni në një natyrë të pacenuar”, tha Fjona.
Tirana dhe qytetet e tjera
Për të prekur thelbin e Shqipërisë, padyshim duhet të kaloni edhe nga kryeqyteti i saj, Tirana, që ka rreth një milion banorë.
“Tirana është një qytet më shumë për të jetuar sesa për ta vizituar. Shumë ndërtesa u shkatërruan gjatë luftës dhe gjatë periudhës socialiste, por po bëhet shumë interesante – është një qytet plot me vende të ndryshme”, tha Fjona.
Këshilla ime është të filloni ditën duke ngrënë një mëngjes të vërtetë shqiptar me byrek i shërbyer me kos të kripur, të holluar me ujë, që kushton rreth 50 cent.
Gjithashtu ju rekomandoj te vizitoni restorantin “Oda”, ku do të shpenzoni 15 euro dhe ofrohet vetëm kuzhinë tradicionale; mish qengji, pilaf, kos – ose mund të shkoni në Pazarin e Ri ku mund të gjeni pak nga gjithçka.
Gjatë vizitës në Tiranë, mos humbisni Muzeun Bunk’Art 1 dhe 2, i ndërtuar brenda bunkerëve anti-atomikë që tregojnë se si ka qenë jeta gjatë periudhës së komunizmit dhe regjimit.
“Janë vende shumë turistike, por na ndihmojnë të kuptojmë errësirën 40-vjeçare në vendin tonë”, tha Fjona.
Një vend tjetër i rekomanduar është Piramida, e cila lindi si mauzoleumi i diktatorit Enver Hoxha për djalin e tij dhe që sot është kthyer në një qendër kulturore dhe inovacioni.
“Nëse doni të shkoni të pini një gotë verë të mirë shqiptare, ju sugjeroj të shkoni në “Filari Winebar” brenda Kalasë së Tiranës.
Gjithashtu vizitoni “Komiteti”, një kafene muze e mobiluar tërësisht me koleksione nga tradita shqiptare. Mos harroni të pini një gotë raki.
Në veri të Tiranës, një qytet që ia vlen të vizitohet është Kruja – kryeqyteti i lashtë shqiptar, rreth 45 minuta nga Tirana, një qytet simbol i rezistencës anti-osmane, si dhe qyteti i heroit kombëtar Skënderbeu.
Në jug të Tiranës, vizita të tjera të rekomanduara janë Gjirokastra, një qytet i trashëgimisë së UNESCO-s, i karakterizuar nga ndërtesat e saj prej guri dhe pazari i lashtë qendror. Mos humbisni edhe Kalanë e saj.
Dhe së fundi Berati, i shpallur si trashëgimi botërore e UNESCO-s falë Kalasë së tij të lashtë – e cila ka qenë e banuar vazhdimisht për më shumë se 2000 vjet – dhe i njohur edhe si “qyteti i një mbi një dritareve”.
Fjona na rekomandoi të vizitonim kanionin e Lumit Osum, burimet e nxehta natyrore të Bënjës “Banjat e Bënjës” pranë Përmetit, një fshat ish-osman në luginën e Lumit Vjosa ku mund të ndaloni dhe të hyni lirshëm.
Por ajo që do t’ju tërheqë më shumë, do të jetë faktori njerëzor: për shqiptarët mysafiri vlen më shumë se familja e vet dhe nuk do të jetë e rrallë që dikush gjatë udhëtimit t’ju ftojë në shtëpinë e tij për t’ju ofruar një darkë./ KultPlus.com