10 Prill, 2020 - 10:25 pm
24 shprehjet më të bukura të shkëputura nga libri “Një natë në Lisbonë”.
“Kur merr arratinë dhe rron mes dëshpërimit e rrezikut, njeriu mësohet t’u besojë mrekullive, përndryshe nuk do të arrinte dot të mbetej gjallë.”
“Frika nga policia nuk i ndahet kurrë të arratisurit, as në gjumë, as kur nuk ka pse të trembet.”
“Njeriu e ka të vështirë të durojë një humbje kur nuk ndodhet në vend të vet. Në raste të tilla s’të ngushëllon asgjë, dhe toka e huaj të bëhet tmerrësisht e huaj.”
“Lumturia ka shkallëzim. Rrallë ndodh të jesh krejt fatkeq kur e kupton këtë.”
“Kur njeriu ironizon dhe ka frikë, kërkon t’i bëjë gjërat më të vogla nga ç’janë.”
“Mundësia për vetëvrasje është një e mirë që njeriu rrallëherë e kupton dhe që i jep iluzionin e vullnetit të lirë. Dhe ka të ngjarë që bëjmë më shumë vetëvrasje nga ç’mund ta marrim me mend, vetëm se nuk e dimë.”
“Burri nuk duhet t’i japë asnjë shpjegim gruas. Ai duhet të veprojë, në mënyrë që ta bindë.”
“Fjalët e mëdha mund t’i durojmë në politikë, por jo në punën e ndjenjave. Do të kishte qenë më mirë sikur të ndodhte e kundërta.”
“Siguria e madhe, në mos të çoftë në vdekje, të çon në një siguri të patundur.”
“Kujtimet që nuk shkaktojnë më dhimbje e që nuk të poshtërojnë, janë jehona.”
“Ka dy të vërteta: njëra ku njeriu e tregon veten, dhe tjetra, strategjike, ku njeriu nuk tradhton asgjë.”
“Në dashuri pyetet gjithnjë si tepër, dhe kur njeriu kërkon të mësojë përgjigjet, ajo ka marrë fund.”
“Frika prej së panjohurës është ndryshe nga frika prej një rreziku që njeriu e njeh. E panjohura mund të duket e rrezikshme, por është diçka e papërcaktuar, dhe këtë frikë njeriu mund ta mposhtë me disiplinë… Por kur njeriu e di se ç’e pret, disiplina dhe akrobacitë psikologjike hyjnë shumë pak në punë.”
“Fati të lejon vetëm njëfarë lirie prej bufoni, mandej të paralajmëron e të jep goditjen. Nganjëherë njeriu e ndien çastin kur vjen.”
“Edhe kujdesin mund ta lodhësh kur flet shumë për të, dhe atëherë nuk të vlen më.”
“I kërcënuari i di përherë punët më mirë e më parë se kërcënuesi.”
“Urrejtja është një acid që ta gërryen shpirtin, pavarësisht nëse njeriu urren vetë, apo urrehet nga të tjerët.”
“Të sëmurët janë shpesh më simpatikë se kokoroshët e shëndetshëm, që në vend të nervave, kanë muskuj në tru. Ka më shumë fatkeqësi sesa lumturi… është akt bamirësie të mos e lësh jetën të vazhdojë në pafundësi.”
“Qyteti më i bukur në botë është ai ku njeriu rron i lumtur.”
“Mrekullia, kur njeriu e përjeton, nuk është kurrë e përkryer, vetëm kujtesa e bën të tillë dhe kur lumturia vdes ajo nuk mund të ndryshojë më e të shndërrohet në zhgënjim. Ajo mbetet e përkryer.”
“Jeta e një njeriu është diçka shumë më e madhe sesa peripecitë që ai kalon.”
“Varfëria të pjek para kohe dhe rinisë nuk i vishen sytë nga sentimentalizmat e nga paragjykimet.”
“S’ka kurrë përgjigje tjetër përveç asaj që i jepni vetvetes.”
“Kujtesa na mashtron që të na japë mundësi të mbetemi gjallë; ajo përpiqet ta zbutë të padurueshmen me anë të mykut të harresës.”
– Erich Maria Remarque, “Një natë në Lisbonë”