Varg e varg deri në pafundësi

15 Gusht, 2024 - 10:46 pm


(Në lexim të “Fytyrë e panjohur” nga Sadik Bejko) 

• Argëzon SULEJMANI 

Vargoni kishte qenë gjithnjë aty. Lidhur për trarët e çatisë së mullirit me fletë uji të gjyshit. Përgjithmonësia merr logjikë vetëm nëse ndërlidhet me personalen tonë. Jashtë saj, ajo mbetet një ide ose ideal që i tejkalon të gjitha hiret mitologjike apo artistike. 
I tillë ishte dhe vargoni im. Gjyshja më kishte folur shpesh për të përmes një gjëegjëze aforizmatike: varg e varg e deri në tra, kush është!? Përgjigjja ishte e njëjta gjithnjë, veç herëve të para që veç saj kishte dhe shuajtjen e kureshtjes. 
Vargoni. 
Sa e sa herë – vargoni. 
Sado t’ia përshkruash një fëmije objektin ose subjektin, ai është një fletë e bardhë që merr vetë shënime dhe duke qenë se mund të mos i njohë ende shkronjat dhe simbolet, ai doemos që përtërinë një gjuhë të veten e cila detyrimisht ka shumëçka që duhet të ketë një gjuhë elementare. Kështu, dhe unë si fëmijë kushedi se si mund ta kem përfytyruar vargonin derisa një ditë gjyshi më kishte shpënë deri te mulliri i vjetër i familjes dhe me të hapur derën më kishte imponuar shikimin mbi kanavetën jofunksionale ku varej si trup i papeshë po ai, kush tjetër, pos vargoni. 

Vargoni kishte qenë aty gjatë gjithë përgjithmonëshmërisë sime dhe mua më ishte dashur kaq kohë që ta gjejë dhe prekë. Prej asaj dite, “varg e varg e deri në trá” do të merrte kuptim real, ndoshta sërish jo të duhur përderisa takimi i parë me të njëjtin kishte ngjarë në një ambient gati muzeal. Sidoqoftë, mbi të gjitha, e rëndësisë së parë fëmijërore është prekja, posedimi dhe si e tillë, në rastin e vargonit, unë kisha plotësuar disa nga parakushtet elementare të përrallës fëmijërore: kisha prekë dhe e kisha timin atë, vargonin. 

*
Historia me vargonin m’u përditësua ditën që po lexoja “Fytyrë e panjohur” nga Sadik Bejko. Nuk ishte tamam një poezi e panjohur apo fytyrë e panjohur siç titullohej përmbledhja por ishte një diçkanajë e mjegullt që iu përngjante mirazheve ose këngëve të zanave. Poezia e Bejkos më kujtoi vargonin për një arsye të thjeshtë: vargjet e tij paralelizonin skajshmërisht bukur – si – varg e varg e deri në tra – vargonin. Vargoni Bejko, për dallim prej trarëve, lidhej me bashkëkohoren, me pafundësinë, me lirinë. Ishte një tjetër vargon i përgjithmonshëm për mua, i cili po më vinte në një kohë kur gjuhën time e njihja deri në mëdyshje dhe kur figuracionet prej saj vështirë më befasonin. Në rastin e Bejkos, kisha gjetur vlera të reja të gjuhës shqipe dhe në aspektin poetik kisha takuar një poezi që i rrinte përshtati aq mirë modernes së shekullit të kaluar, kohës kur shqiptarët kishin përjetuar të errtën Fundjetë. 

Kufijtë ndërshqiptar si duket kanë arritur të ndajnë gjithçka veç gjuhës dhe shpirtit. Në këtë rast, nga ky binom, rrjedhimisht, cekim shpirtëroren artistike e cila si nën bekimin e Shkabës së Kadaresë ka gjetur qiej komunikimi tej fizikes e gjeografikes. Kësisoj, poezia e Bejkos qëndron në yjëzimin e qiejve të B. Çapriqit, A. Shkrelit, M. Ramadanit, si për të treguar se liria artistike nuk grazhdohet dhe se ligjet e gjuhës i tejkalojnë të gjitha matematikat e shumicave absolute. 

Pas leximeve të para të “Fytyrë e panjohur”, menjëherë ndaj bindjen se në aspektin e mesazheve poetike kjo përmbledhje del të jetë kuptimplote, e thellë dhe me përpunime që e shënojnë dhe udhëzojnë kohën, përkatësisht njeriun e saj. Autori kryesisht komunikon përmes sajesave të tij poetike, me guximin prej poeti dhe me dëshirën prej krijuesi. Ky komunikim është besoj një kapitull i ri për letërsinë shqipe, lidhur me kohën, gjendjen dhe mbruajtjen në të cilën duhet të jenë thelbësuar shumica e poezive. Mosprezenca e euforisë dhe shqyrtimi i balancuar i temave të rënduara e sentimentale janë një tjetër veçori e lakmueshme e këtij botimi. Narrativat në tërësi janë komplekse dhe rrëmojnë së thelli gjë që e lartëson dhe çon lexuesin shqiptar në një tjetër nivel, po kështu dhe kritikën e analizën e rastit. Subjekti dhe objekti poetik shpesh herë sublimohen te autori apo te një vetë e tretë, e afërt me të njëjtin dhe, kjo i jep nota melankolie të lehta aty-këtu veprës, por në asnjë mënyrë nuk ia zbehë qëllimin dhe brumimin e saj modern. 

Theksuar më lart, poezia e Bejkos priret nga vargëzimi pa fund dhe si e tillë të kujton poezinë që lërohej në gjuhët më të zëshme letrare përgjatë dy shekujve të kaluar. Ajo merr rëndësi të veçantë për poetët, gjuhëtarët dhe lexuesit shqiptarë; ata nuk kanë pse të ndjehen inferiorë ndaj gjuhëve dhe kulturave të tjera pavarësisht rrebesheve të kohës ndaj esencës së tyre kombëtare, gjuhës. 

Bejko, me përmbledhjen në fjalë, i plotëson të gjithë rolet e parapara prej një poeti, në radhë të parë flet dhe i s’i lë foljet të humbin kuptimin: 
(…) E pikoj në pafund 
si shishen bosh i dehuri (…) 
Pi kupën e mungesës 
e thaj me gjithë shishe 
(poezia: Pi kupën e mungesës). 

Pikë tjetër tejet e veçantë është pikënisja dhe pikësynimi. Poeti në të gjitha rastet niset drejt universales nga verzioni i vet, për më tepër nga nënqielli i vet: 
(…) shtëpi, puse, oborr me hardhi, me bagëti 
mbi plloça. 
Shtëpi guri këputur nga mali. 
(poezia: Fiku i zi). 

Në fund të kësaj triade rolesh do të veçoja dhënjen e mesazheve thellësisht kuptimplota me stilin e vet tejet inovator për poezinë shqipe: 
(…) Njeriu dashka dhe vdekjen – 
e ka me vete, nën jastëk çdo natë – 
s’ka gjë, 
ruaj vdekjen tënde dhe jeto fillikat/ (…) 

Gjithçka mund të ndodhë. 
Rro me të ngjarën. 
Si dje, si sot, si mot. 
Si me gjarpërin. 
(poezia: Ushqe gjarpërin tënd). 

Era si fenomen jo vetëm natyror është një nga themelet e forta të vargëzimit të tij. Dinamika e erës i gjen gjithë ato elemente të panjohura në poezinë e Bejkos. Kjo veçanarisht vihet re te poezia “Dy gisht erë” si dhe te vargu tejet bukur i përpunuar, gati-gati përfaqësues për poezinë me nënshkrimin Bejko: 
(…) çurgonin erëra hollë të holla (…) 
(poezia: Guaska në vesh). 

Vertikalet e poetit janë të shumëta. Ato sidomos në një vend stalinist janë guxime më vete, kur dihet presioni i pamynxyrshëm drejt vertikaleve prej statujave. Mirëpo, poezia e tij mund t’i prezantohet edhe kohëve të tjera në vendin e sistemeve të përçudshme. Andaj, poeti në një rast krijon vertikalen Perëndi – Njeri dhe deklamon: 
(…) at, mos hesht. Nuk kemi këtu një qytet 
të përhershëm. Jemi përbrenda plot burg, 
at, burg e murg. Sa edhe veten trembim. (…) 
(poezia: Një ditë e bukur). 

Gjarpëri është një figuracion me prezencë qëndrore në poezinë e Bejkos. Por, ndoshta në një kontekst më interesant seç jemi mësuar ta njohim, lexojmë e poetizojmë. Kjo logjikë kulmon te poezia “Ushqe gjarprin tënd” ose poema “I huaji në mal” ku poeti e lidhë këtë figurë ilire mitologjike me jetën, me vdekjen, me njerinë, me llahtarinë, me legjendat, me të sotmen. Edhe në këtë rast, pavarësisht frikërave dhe fobive të lindura ose helmatisjes e kafshimit apriori, poeti zgjedhë një anë krejt tjetër për kulmimin e narrativës së tij, atë të aritmetikës së gjarpërit ndaj njeriut, e cila sado shumëzon e pjesëton, asnjëherë nuk e zhbën njeriun. 

Leximi i poezive të Bejkos më kujton një të thënë të veçantë të I. Rugovës kur shkruante për mikun dhe poetin Musa Ramadani se: “leximi i këtyre poezive zgjon një gëzim të veçantë që po e ndajmë së bashku, si miq të një brezi që donte të thyente lëvozhgën e mendimit dhe të jetës dogmatike.” Nisur nga kjo, me plot gojën mund të them që, ky brez pavarësisht gjithçkaje ia dolën ta pëlcasin këtë lëvozhgë; gjithçka na penalizon neve sot janë gardhinjtë e gjallë kapitalistë dhe muret e gëlqerosura mafioze. Gjithsesi, duhet ta pranojmë, hapi i parë është gjithnjë krucial pavarësisht madhësisë dhe, atë hap e kanë bërë një plejadë jona artistësh dhe intelektualësh të jetëveprimit pas L2B. 

Si konkluzë, “Fytyrë e panjohur” e poetit Bejko është një vepër që e pasuron letërsinë tonë me një cilësi dhe qasje të re dhe më së paku të sprovuar deri atëherë. Qasja dhe sprova i kalon të gjitha nivelet dhe kjo është një prurje që duhet vlerësuar për hapjen dhe shënimin e shtigjeve të reja letrare. 
Në fund fare, nisur me vargonin e panjohur mbi “Fytyrën e panjohur”, mund të them lirisht që kjo është një përmbledhje që sikurse vargoni, i plotëson dhe tejkalon pritshmëritë. E juaja është vetëm të hapni një derë ose t’i besoni hovit tim.

* Shkruar me rastin e Kalimerës poetike “Basri Çapriqi”, edicioni i 32-të, ku në natën e tretë të saj është prezantuar me mbrëmje autoriale shkrimtari Sadik Bejko. /KultPlus.com

Të ngjajshme