Vasfije Krasniqi kërkon që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik i përkujtimit të gjenocidit në Kosovë

7 Dhjetor, 2022 - 10:34 am

Vasfije Krasniqi-Goodman kërkon nga Institucionet e Kosovës që të miratojnë kërkesën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik i përkujtimit të gjenocidit në Kosovë.

Këtë ajo e ka bërë përmes një letre që sot i ka drejtuar Presidentes së Kosovës Zonjës Osmani, Kryeministrit Kurti, Kryetarit të Kuvendit Konjufca si dhe gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Letra e saj është e drejtuar edhe në emër të Shoqatës “Drejtësi për të gjithë” të cilën ajo e drejton.

Të kujtojmë se zonja Vasfije Krasniqi-Gooodman është njëra nga njëzetmijë viktimat e dhunës seksuale, të cilat forcat serbe kanë aplikuar kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë zbatimit të krimit të gjenocidit në Kosovë në luftën e fundit.

Zonja Vasfije Krasniqi-Goodman ka treguar publikisht për tmerrin që ajo ka përjetuar. Këtë rrëfim ajo e ka bërë në disa institucione botërore, përfshirë edhe kongresin e senatin amerikan.

Më poshtë po e publikojmë të plotë letrën e Zonjës Vasfije Krasniqi-Goodman:

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, Zonja Vjosa Osmani
I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, Zoti Albin Kurti.
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Glauk Konjufca
Të nderuar ish kolegë të mi, deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Në cilësinë e ish deputetes së Kuvendit të Kosovës dhe si njëra nga viktimat që denoncoi publikisht dhunën seksuale që paraqet formë të gjenocidit që Serbia zbatoi mbi popullin tonë, kam marrë një kërkesë nga Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” drejtuar institucioneve shtetërore dhe forcave politike të Kosovës që Lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë.

Dita ditës njerëzve u bëhet e qartë se plani i Serbisë për gjenocid në Kosovë kishte për qëllim shkatërrimin e shqiptarëve si komb dhe për realizimin e këtij qëllimi ata vranë shqiptarë të të gjitha moshave dhe gjinive, dhunuan seksualisht mbi 20 mijë femra dhe meshkuj shqiptarë,  dëbuan nga vatrat e tyre mbi një milion shqiptarë dhe shkatërruan mbi 100 mijë shtëpi, objekte arsimore, monumente kulturore dhe historike që lidhen me identitetin e shqiptarëve.

Pasi lexova me vëmendjen e duhur arsyetimin e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” për domosdoshmërinë që të kemi një logo të vetëm që do të simbolizonte krimin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe përfshirjen e çdo forme të akteve gjenocidare në njërën nga petalet e lulëkuqes, vendosa t’u bëj thirrje publike në emër të organizatës “Drejtësi për të gjithë” dhe në emrin tim personal që ta përkrahni këtë iniciativë dhe të ndërmerrni të gjitha hapat e nevojshëm për zyrtarizmin e këtij simboli gjithëpërfshirës, si simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë.

Prishtinë, më 6 dhjetor 2022                                                                 

Me respekt
Vasfije Krasniqi Goodman 
/KultPlus.com

Të ngjajshme