Vasfije Krasniqi thirrje për institucionet e Kosovës: Lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë

6 Dhjetor, 2022 - 8:39 pm

Në cilësinë e ish deputetes së Kuvendit të Kosovës dhe si njëra nga viktimat që denoncoi publikisht dhunën seksuale që paraqet formë të gjenocidit që Serbia zbatoi mbi popullin tonë, Vasfije Krasniqi-Goodman ka marrë një kërkesë nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” drejtuar institucioneve shtetërore dhe forcave politike të Kosovës që ‘Lulëkuqja’ me katër petale të bëhet simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë, përcjell KultPlus.

“Pasi lexova me vëmendjen e duhur arsyetimin e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” për domosdoshmërinë që të kemi një logo të vetëm që do të simbolizonte krimin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe përfshirjen e çdo forme të akteve gjenocidare në njërën nga petalet e lulëkuqes, vendosa t’u bëj thirrje publike në emrin tim personal, dhe në emër të organizatës “Drejtësi Për Të Gjithë” që ta përkrahni këtë iniciativë dhe të ndërmerrni të gjitha hapat e nevojshëm për zyrtarizmin e këtij simboli gjithëpërfshirës, si simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë”, ka shkruar ajo.

Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, Zonja Vjosa Osmani

I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, Zoti Albin Kurti.

I nderuari Kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Glauk Konjufca

Të nderuar ish kolegë të mi, deputetë të Kuvendit të Kosovës,

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Në cilësinë e ish deputetes së Kuvendit të Kosovës dhe si njëra nga viktimat që denoncoi publikisht dhunën seksuale që paraqet formë të gjenocidit që Serbia zbatoi mbi popullin tonë, kam marrë një kërkesë nga Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” drejtuar institucioneve shtetërore dhe forcave politike të Kosovës që Lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë.

Dita ditës njerëzve u bëhet e qartë se plani i Serbisë për gjenocid në Kosovë kishte për qëllim shkatërrimin e shqiptarëve si komb dhe për realizimin e këtij qëllimi ata vranë shqiptarë të të gjitha moshave dhe gjinive, dhunuan seksualisht mbi 20 mijë femra dhe meshkuj shqiptarë, dëbuan nga vatrat e tyre mbi një milion shqiptarë dhe shkatërruan mbi 100 mijë shtëpi, objekte arsimore, monumente kulturore dhe historike që lidhen me identitetin e shqiptarëve.

Pasi lexova me vëmendjen e duhur arsyetimin e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” për domosdoshmërinë që të kemi një logo të vetëm që do të simbolizonte krimin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe përfshirjen e çdo forme të akteve gjenocidare në njërën nga petalet e lulëkuqes, vendosa t’u bëj thirrje publike në emrin tim personal, dhe në emër të organizatës “Drejtësi Për Të Gjithë” që ta përkrahni këtë iniciativë dhe të ndërmerrni të gjitha hapat e nevojshëm për zyrtarizmin e këtij simboli gjithëpërfshirës, si simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë.

Prishtinë, më 6 dhjetor 2022 ​​​​​

Me respekt

Vasfije Krasniqi Goodman. / KultPlus.com

Të ngjajshme