22 Tetor, 2019 - 2:34 pm
Misioni Diplomatik për Paqe e Zhvillim, me qendër në Tiranë, në bashkëpunim me partnerët e vet ndërkombëtarë si: American Diplomatic Mission for World Peace (ADMWP), Academy of Universal Global Peace (AUGP), United Nations University for Global Peace (UNUGP), Diplomatic Society Saint Gabriel (DSSG), në shenjë respekti për Misionaren e Paqes Vasfije Krasniqi-Goodman, e nderuar nga Kongresi Amerikan dhe Parlamenti Europian si e mbijetuar dhe dëshmitare historike e dhunës serbe ndaj grave dhe vajzave të Kosovës gjatë luftës 1998-99, organizoi ceremoninë e vlerësimit të këtij personaliteti të lartë, aktiviste e mbrojtjes të të Drejtave të Njeriut, me Medaljen e Artë “Order of Peace Missionary Saint Mother Teresa” (Urdhri i Misionarit të Paqes Shenjtorja Nënë Tereza), si dhe me diplomat përkatëse.
Ky titull erdhi si propozim i bashkëpunëtores dhe drejtueses së Grave Misionare të Paqes të DMPP për Ballkanin, njëkohësisht Drejtoreshë e Aleancës Kosovare të Bizneseve, Lumnije Ajdini.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin drejtues të lartë dhe personalitete të artit, kulturës, politikës, shoqërisë civile.
Ishin të pranishëm dhe aktorja e njohur shqiptare, Tinka Kurti, gazetarja e njohur Zenepe Luka, artistë të njohur të skenës, poetë, shkrimtarë, biznesmenë si dhe aktivistë të dalluar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, si ambientalistja Ina Kasimati, etj.
Shefki Hysa, Guvernator i Misionit Diplomatik Paqe e Zhvillim, theksoi ndër të tjera: “Rruga e Paqes sot është nga më të vështirat, gati e pamundur herë-herë, rrugë sakrificash sublime gjer në flijim e vetëflijim në mbrojtje të komuniteteve paqedashëse, paqebërëse e paqembrojtëse. Pikërisht si rruga e mbijetesës së misionares së paqes Vasfije Krasniqi, tanimë legjendë e gjallë e martirizimit dhe simbol i gruas me kurajo, qytetare që theu çdo tabu dhe denoncoi me forcë dhunën serbe ndaj grave e vajzave gjatë luftës së viteve 1998-99, grua që solli lirinë e pavarësinë e Kosovës”.
Agim Shahini, kryetar i Agjencisë Kosovare të Biznesit, tha se sot ne vlerësojmë Vasfije Krasniqi-Goodman për guximin e saj heroik, me titullin Ambasadore Nderi e Misionit Diplomatik Paqe dhe Zhvillim dhe me Medaljen e Artë “Urdhri i Misionarit të Paqes Shenjtorja Nënë Tereza”, duke besuar se si pjesë e armatës së madhe të misionarëve dhe luftëtarëve të Paqes që sakrifikojnë kudo në Glob për mbrojtjen e vlerave hyjnore të njerëzimit, ajo do ta shumëfishojë kurajën për të denoncuar çdo akt dhune, veçanërisht ndaj grave dhe vajzave. Vasfije Krasniqi sot e tutje është mes një ushtrie të madhe aktivistësh të shquar të Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut dhe si e tillë do të jetë simbol hyjnor jo vetëm për Kosovën, por për gjithë komunitetet paqedashëse kudo në Botë. Ajo tashmë është një luftëtare e vërtetë në shërbim të Paqes Sociale Globale. / KultPlus.com