Vataj: Në Kosovë jo çdokush që di shqip, pretendon të jetë edhe autor i një libri, kurajë e cila nuk u mungon shqipshkruesve tanë

31 Dhjetor, 2020 - 4:00 pm

Suada Qorraj

Kritikat letrare, poezitë por edhe shkrimet e mirëfillta gazetareske janë pjesë e një bagazhi të madh të dijes që mbart me vete shkrimtari dhe gazetari, Albert Vataj. Pasioni i madh për librin, mund të vërehet që në leximin e parë të shkrimeve të tij, madje për të është trishtuese të shkruhet një libër, që nuk lexohet.

Në një intervistë për KultPlus Vataj ka treguar arsyet se si ka lindur dashuria e tij ndaj librit, se ku gjendet letërsia dhe lexuesi sot, apo jemi duke u përballur me një komercializëm. Vataj krahas kësaj ka dhënë edhe një mesazh frymëzues për secilin që sot ka synim të shfaq anën e tij artistike e letrare.

KultPlus: Për një kohë të gjatë keni punuar si gazetar mirëpo nuk keni lënë anash as kritikat për librin? Çka ju ka shtyrë që të jepeni kaq shumë pas letërsisë?

Albert Vataj: E konsideroj veten fatlum se i përkas atij brezi, koha e lirë e të cilit mokohej prej së mundshmes, për të eksploruar botën përmes dritëpamësisë së ndjenjave dhe mendimeve, të atyre që skalitën në kryevepra të letërsisë shpirtin krijues. Veç leximit si një përfshirje përjetuese, kam patur një qasje për të parë tekstin përtej, për të eksploruar të fshehtat, misterin që zinte fill mes rreshtash, mes fjalësh e në nënlëkurën e shprehshme të personazheve dhe situatave. Hershmëria e viteve të mia lidhur me leximin, nisi duke nënvizuar fraza dhe kapituj, duke kopjuar maksima, citate, monologje e shpërthime idilike. Ndoshta kjo periudhë i shërbeu pasleximit, për ta jetësuar çfarë kumtoja në bisedat me miqtë dhe më vonë me kolegët. Shkodra, ku kam lindur dhe jam brymosur, i kishte të zakonshme diskutimet për librin, debatet për autorë dhe personazhe, përkthimet dhe tendencat, që në kohëpaskohje vinin duke marrë gjithnjë e më shumë nga impenjimi ynë angazhues. Kohë e mallshme kjo.

Pak a shumë këto ishin binarët ku do të shtroheshin shinat e këtij interesimi që do të më lidhte me librin jo thjeshtë si një lexues, por edhe si shqyrtues i tij. Ajo që më duhet të sqaroj kësodore është se unë nuk jam mirëfilli kritik letrar. Në këtë qasje udhëhiqem nga dashamirësia për të promovuar ato përpjekje, që vijnë për të sjellë pasurim të traditës sonë letrare, së cilës gjithnjë i është dashur të ndeshet me mospërfilljen dhe zëvendësimin e saj me letërsinë e huaj, që ishte dhe mbeti me e preferuar, ashtu siç fatkeqësisht jemi mëkuar dhe temperuar, me begenisjen dhe respektin e shumësishëm të të huajit, dhe mospërfilljes deri mospranimit të çdo gjëje tonën, për të cilën kujtohemi vetëm atëherë kur për të flasin të tjerët.

Përkushtohem në këtë mëtim përjetuese i prirur nga përzemërsia dhe mbështetja, njohja dhe vlerësimi i atyre karakteristikave dalluese që shfaqin mëvetësinë e aksh autor apo libër, nga e ububushmja e botimeve. Këtë e bëj sepse e ndjej dhe çdo fjalë dhe paragraf, përsiatje e kumtim, i nxjerr nga thellë meje, duke i mbrujtur me lëndën magjike të ndijimit. Nuk e tumiri, dhe i përmbahem mospëlqimit të pamëshirshmërisë hijerëndë dhe shpesh tendencioze, të kritikës akademike të një libri, autori apo një vepre. Kurrë, gjykatoret letrar nuk kanë bërë që letërsia të shpëtojë nga një e keqe, apo të mbrohet nga një kërcënim.

KultPlus: Jemi dëshmitar të botimeve të shumta të librave që janë bërë në këto vitet e fundit, si nga shtëpitë botuese në Kosovë po ashtu edhe ato në Shqipëri. Sipas jush si është gjendja e letërsisë sot dhe cilësinë përmbajtjesore të librave që botohen?

Albert Vataj: Në atë diapazon njohës që disponoj, mund të pohoj dallueshmërinë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në lidhje me mundshmërinë dhe lejueshmërinë që disponohet në botimin e një libri. Me fjalë të tjera, në Kosovë besoj se jo çdokush që di shqip, pretendon të jetë edhe autor i një libri, kurajë e cila nuk u mungon shqipshkruesve tanë.

Pavarësisht se autorët dhe librat që ishin në fokusin e kumtimeve të mia, jam përpjekur t’i trajtoj me nota pozitive, situata për të cilën ju pyesni është alarmante. Ajo që më duhet ta pohoj me zemër të vrarë është se libri është në periudhën e vet më të errët, ndoshta më fatkeqe se në periudhën e inkuziocionit. Çfarë mund t’i bësh më shumë krijuesit, librit, se sa t’i vrasësh lexuesin. “Ka krime më të kobshme se djegia e librave, njëri prej tyre, kur nuk i lexon”, mendon Josif Brodskij.

Të gjithë kemi diçka për të thënë, por nuk mund t’ia lejojmë vetes ta poshtërojmë krijimin, duke e thjeshtuar atë në një bisedë të rëndomtë kafenesh dhe të pretendosh ta shesësh krijimin me çmimin e pompozitetit mediatik dhe unit poterisës. Zeje e shkrimtarisë është shndërruar si çdo tjetër angazhim i kësokohshëm, për vetëmburrjeje dhe protaginizëm. Askush nuk ndalon askënd që të shkruaj, madje edhe atëherë kur duhet të lexojë, por deri te botimi i një libri, rrugën që i duhet ta shtrojë me përgjegjësi dhe para, e këshilloj me dashamirësi që ta kthjellojë në mendime dhe arsyetime, ta çlirojë nga narcizmi dhe egoja e sëmurë.

KultPlus: Në kohën e sotme a ka më shumë prodhime artistike dhe me vlerë letrare të librave, apo jemi duke shkuar kah komercialja?

Albert Vataj: Nuk mund të pretendojmë një njësi të saktë të matshmërisë të vlerave letrare, përkundër nevojës së komercit. Në këtë gjendje kaotike, fitimtarët janë ato që e njohin më mirë marketingun, rrjedhimisht, vlera e tekstshkrimit ka mundur të huajt lëmoshën e një interesim periferik. Autorë me kredenciale mediatike dhe publike, arrijnë të rrëmbejnë përfitim dhe interesim, aq sa do ta kishin zili mendjet më të ndritura botërore të letrave. Blerësve, shumica e të cilëve janë jolexues, ndër ta ka që e konsiderojnë dhe trajtojnë librin si një aksesor arredimi, kaq ju volit. Për ta i rëndësishme është autori, ai që u vjedh kohën, u vret mendimet, u ndrydh vullnetet, u përvetëson edhe para, duke u imponuar edhe shijen.

Nuk do të më pëlqente të mburresha me librin e një autori, i cili ka vetëm emrin në libër, dhe kjo gjëmë është kthyer në modë. Dhe vjen një ditë që ata zuzarë, që me poshtërsi e maskarallëk kanë vënë pasuri, kanë bërë para dhe… u paska mbetur që sedrën e tyre ta ledhatojë edhe emri në kopertinën e një libri. Këta kriminelë ekologjikë do t’i marrë harrimi shumë më shpejt se sa do t’i glorofikojë lavdia. E megjithatë, lexuesit, asaj minorance që rend hekakeqe në Golgotën e papajtueshmërisë, i lipset të jetë më selektive dhe më syçelë në këtë kaplim nate antivlerash dhe robërim egoizmi.  

KultPlus: A mendoni se libri sot ka një lexueshmëri dhe një audiencë të mjaftueshme?

Albert Vataj: Më lejoni të citoj një maksimë tragjike, sipas së cilës: “Trishtimi më i dhimbshëm i një krijuesi është kur ai shkruan për një publik që nuk lexon”. Kjo perifrazë prej kohësh vërtitet si një re e zezë në qiellin e nevojës për ushqim shpirtëror, dije dhe dritë, por sot ajo është një natë në Polin e Veriut, ku shpirti i krijuesit duhet të sfidojë errësirën dhe ftohtin për të mbarsur krijesën e vet “fatkeqe”. 

Mjerisht konstatohet një mungesë interesimi në rritje, jo e padëshirës për të lexuar, por e panevojës për të përfituar prej këtij urëbashkimi me kohërat dhe botët, përmes shpirtërores krijuese. Jo vetëm pamjfatueshmëria e kohës “së shkuar dëm” me shfletimin e librit, por fudullëkut, ndër faturat që ka për të paguar, nuk është vetëm injoranca, por zbrazëtia e njerëzores. Krahas mundësive të pafundme për të vrarë kohën, panevojshmëria motivuese për ta shfrytëzuar atë, po vret humanen dhe fisniken, të bukurën dhe të vlertën, shpirtëroren dhe iluminuesen, më pamëshirshëm se çdo barbari.

KultPlus: Cili është elementi që e dallon lexuesin e kohëve moderne, pra kohëve tona? A e konsideroni si anë pozitive apo negative këtë element?

Albert Vataj: Lexuesi i tanishëm karakterizohet nga nevoja për gjëra të lehta, të shpejta, kalimtare. Ai magjepset nga boshi dhe çdo tentativë e tij për të mbushur honin që e përpin, veçse e zbraz atë. Kjo për një shumësi arsyesh, por kryesorja ritmi, tempi i rrokshmërisë së kohës. Metabolizmi i tij, gjithashtu është i papërgatitur për një regjim kaq të dhunshëm gastrik. Kësisoj, atij i është dashur ta përgatis veten për këtë evoluim, i cili i imponohet, e përndjek, e plaçkit dhe e flak tej. Përkundër këtij rrezatimi toksik dhe një jete trazimtare dhe të hidhur ku ka vetëm të pakënaqur, ata që guxojnë t’i shkulen këtij robërimi denigrues, janë ata që i kanos vetmimi. Të lidhur me librin, leximin dhe dijen, duhet të zgjidhen nga vargonjtë e varësive moderniste të teknologjisë për të gjetur një zgjidhje.

Mes lexuesit syçelët e analizues dhe atij që është i pakohë dhe rreket ta bëjë edhe këtë si çdo punë tjetër, sa për të kaluar, është një hendek shumë i madh. Kjo bën që leximi dhe rrjedhimisht libri të kenë gjithnjë e më pak vend në përditshmërinë e secilit nga ne.

Të vetmit që do të vijojnë të mbeten robër të librit, admirues të tij, janë ata, leximi për të cilët është një varësi. Edhe atyre u duhet të ndeshen çdo ditë e më ethshëm me llojshmërinë e zhvatësve të kohës që i rrethvijnë si ujqërit zjarrit.

KultPlus: Sipas jush cili është roli i letërsisë shqipe në shoqëri?

Albert Vataj: Letërsia, si çdo gjini tjetër e artit, kanë humbur rolin klasik në shoqëri. Nuk ka më modele të virtytit, etalone të fisnikërisë, matshmëri të dijes, vlerësim të horizontit. Kanë abdikuar nga froni mbretërit, të gjithë një e nga një, duke lënë gjithçka në mëshirë të kaosit dhe konfuzionit, narcizit dhe ambicies së sëmurë për para, pasuri dhe vëmendje. Nderi dhe lavdia, beteja epike e të mirës me të keqen, për të cilat flasin shkrimtarët, himnizojnë artistët, hyjnohen nëpër altarët e predikimeve të shenjta, krejtkëto shiten tek sendet e përdorura dhe servilen në tezgat e hedhurinave. Nuk janë më letërsia, krijimi, lartësimi i idesë dhe apogjeu i mendimit, ato që diktohen si referenca, trumbetohen si kulmime, manifestohen si gjenialiteti i zgjidhjeve dhe çlirimit nga zgjedha e të qenit peng. Gjithnjë kemi patur një qasje për të gjetur rrugë të shkurtra për përfundime finale. Na është dashur të mprehim më shumë shqisën e mbrojtjes nga dhelpra se sa të guximit për tu ndeshur me ujqit. Dhe letërsia ka fare pak shanse të arnojë me lëkurën e djallit petkat e besimit te shenjtërimi i qëllimeve tona.  

KultPlus: Cili duhet të jetë roli i shkrimtarit në raport me shoqërinë?

Albert Vataj: “Një shkrimtar duhet të mendojë se çdo gjë që i ndodh atij ose asaj është një burim. Të gjitha gjërat na janë dhënë për një qëllim, dhe një artist duhet ta ndjejë këtë më intensivisht. Të gjitha ato që na ndodhin, përfshirë poshtërimet tona, fatkeqësitë tona, sikletet tona, gjithçka na është dhënë si lëndë e parë, si balta, në mënyrë që të formojmë artin tonë”, thotë Jorge Luis Borges. Kësisoj shkrimtari në veçanti dhe krijuesi në përgjithësi, duhet të jetë zëri i ndërgjegjes, kushtrimi i i asaj batërdie reaguese që ndizet dhe shuhet brenda nesh. Përmes ligjërimit të tij të dëgjojmë heshtjen tonë. Ai duhet të paraprijë zhvillimeve të kohës, të reagojë në emër të gjithë atyre që nuk guxojnë, dhe të mos ngasë të bëhet detal i kësaj makinerie asgjësuese, të bëjë pakte të ndyta për çfarë t’i vijë turp.

Gjithsesi nuk duhet injorojmë faktin, se shkrimtari nuk ka qenë dominant si zë i ndërgjegjes në shoqërinë shqiptare, madje edhe atëherë kur atij i duhej të takohej me masën, të “jetonte” mes njerëzve të thjeshtë dhe të shkruante për ta. Ai ishte pjesë e propogandës dhe kurrë nuk mundi të ishte vetëdije shpirtërore.

KultPlus: Sipas jush, kë konsideroni të jetë ndër shkrimtarët shqiptar që e ka dëshmuar më së shumti vetën dhe i ka dhënë vlera letërsisë tonë?

Albert Vataj: Emrat që i kanë dhënë letërsisë shqipe janë të shumtë, por ai që e ka bërë që kjo letërsi të jetë një zë i ndërgjegjes, kulturës, traditës, historisë dhe vetëdijes sonë kombëtare është Ismail Kadare. Bujaria e tij krijuese dhe larmishmëria e tematikave dhe trajtesave, i avantazhuar nga aksesimi që ai përfitoi në gjuhët e mëdha, bëri që shqiptarët dhe Shqipëria të kishin tek ai një zëdhënës potencial. Pavarësisht të shkuarës së tij dhe mëkatet që e akuzojnë, ai mbetet figura më përfaqësuese e letërsisë shqiptare.

Gjithëpoaq Kadare vijon të jetë i anatemuar, më shumë nga folklori se sa njëmendja gjykuese e asaj që ndan atë nga vepra. Ky korife vazhdon të mbetet në anën e përtejme… dhe përballë, një masë e pamasë gurëhedhësish e baltëgatuesish.

Vepra e tij është e sunduar prej mitit të së kaluarës, dhe evokimit të lavdisë së dikurshme. Kadare synon ta çlirojë njeriun shqiptar prej akuzave që e ndoqën ndër shekuj, përfshirë këtu edhe akuzën si popull i lindur me instinktin e luftës dhe të mercenarizmit, binjak me armën, dhe peng i saj. Dhe kjo ishte dhe është gjithçka që një njeri i penës mundi të bënte dhe ai e bëri si pakkush tjetër, pavarësisht se u shpërblye me zemërthyerje. 

KultPlus: Krejt në fund çfarë mesazhi do ju jepje të gjithë atyre të cilët dëshirojnë që të merren me krijimin e letërsisë apo që tashmë kanë hedhur hapat e parë në këtë rrugë?

Albert Vataj: Ajo që do tu sugjeroja çdonjërit që duke ju nënshtruar kryqit të rëndë të talentit, provon me vetmohim pranin e shpirtshme të tij dhe gjithçka që ai beson është ajo për të cilën, pa përbetime por me aktin krijues shpreh vullnetlirë gatishmërinë të vetëflijohet.

Ata që kapin penën si bujku parmendën duhet të mos harrojnë atë që thotë Carl Sagan se “një libër është dëshmi e njerëzve, të cilët janë të aftë të prodhojnë magji”. Te dishepulli kjo barrë e rëndë duhet ta tejkalojë banalitetet e nevojave meskine, për të marrë shpërblesën e lartë të adhurimit./ KultPlus.com

Të ngjajshme