29 Prill, 2025 - 4:54 pm
Vatikani njoftoi sot detajet e orarit për fillimin e konklavës më 7 maj, zgjedhja e shumëpriture një Pape të ri pas vdekjes së Françeskut.
“Kardinalët do të mblidhen fillimisht në orën 10:00 për Meshën e njohur në latinisht si “Pro Eligendo Romano Pontefice” në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan”, thuhet në njoftim.
Në orën 16:15, kardinalët me të drejtë vote do të mblidhen në Kapelën Pauline në Pallatin Apostolik, nga ku do të shkojnë në Kapelën Sistine në orën 16:30.
Vatikani fillimisht nuk dha detaje të mëtejshme.
Megjithatë, tradicionalisht, kardinalët duhet, pas procesionit solemn, të betohen për të respektuar rregullat e konklavës dhe për të ruajtur fshehtësinë absolute në lidhje me zgjedhjen.
Kryetari i kremtimeve liturgjike papale më pas thërret “Extra omnes” (Të gjithë jashtë), duke i udhëzuar të gjithë ata që nuk janë zgjedhës të largohen nga kapela.
Procesi për votimin e parë në ditën e parë është tashmë i qartë. Ritmi pasues përbëhet nga dy votime në mëngjes dhe dy në pasdite.
Që një papë i ri të zgjidhet, kërkohet një shumicë prej dy të tretash e kardinalëve votues.
Nuk ka afat kohor për konklavin.
Dy kardinalë mungojnë për arsye shëndetësore
“Dy kardinalë do të mungojnë në konklavë për arsye shëndetësore”, u tha gazetarëve sot zëdhënësi i Vatikanit Matteo Bruni.
Një total prej 135 kardinalësh kanë të drejtë të votojnë në konklavë. Pas anulimeve, tani janë vetëm 133 kardinalë që do të votojnë nga e mërkura e javës së ardhshme.
Bruni nuk përmendi asnjë emër, por kryepeshkopi emeritus i Valencias, Antonio Caizares, 79 vjeç, deklaroi një javë më parë se nuk do të ishte në gjendje të udhëtonte në Romë për arsye shëndetësore.
Kryepeshkopi emeritus i Sarajevës, Vinko Puljic, 79 vjeç, kishte kërkuar falje për të njëjtën arsye. Disa ditë pas anulimit të tij, Puljic i tha transmetuesit “Radio Medjugorje” se mjeku i tij e kishte lejuar të udhëtonte. / atsh/ KultPlus.com