Vazhdojnë takimet me kryetarë të komunave, diskutohen projekte të shumta mes Çekut dhe Bulliqit

13 Shtator, 2022 - 9:03 pm

Takimet me kryetarë të komunave vazhduan sot në Podujevë. Ministri Çeku u prit nga kryetari Shpejtim Bulliqi dhe bashkëpunëtorët e tij.

Të shumta janë projektet për të cilat u diskutua, disa që janë zvarritur ndër vite për shkak të mungesës së mirëfilltë të planifikimit të projekteve, si dhe ato potenciale, që të rinjve, sportistëve dhe artistëve të mos u mungojë infrastruktura për zhvillimin e aktiviteteve të tyre.

Qendra multifunksionale është një projekt që pritet të fillojë së shpejti. Komuna u zotuan të sigurohen që lokacioni mos të ketë probleme pronësore, dhe bazuar në projektin e kompletuar në detaje, MKRS të fillojë investimin.

Për ndërtimin e Palestrës Sportive Komuna do ta sigurojë projektin dhe dokumentet përcjellëse, të bëhet rishikimi i projektit dhe paramasës, analizat e duhura paraprake, dhe të planifikohet në buxhet për realizim për vitet e ardhshme.

U fol gjithashtu për pishinën gjysëm olimpike për të cilën Komuna ka ndarë lokacionin dhe hapi tjetër është hartimi i projektit dhe planifikimi i buxhetit.

Konservimi dhe rivitalizimi i xhamisë së djegur të fshatit Orllan është një projekt i ri që do të fillojë së shpejti, ndërsa u diskutua edhe për ndërhyrje emergjente në ndërtesën e Burgut.

Ministri foli gjithashtu për programet shtetërore për art në shkolla dhe sport në shkolla që pritet të fillojnë vitin e ardhshëm dhe të zbatohen në gjithë shkollat e vendit ndërsa kryetari Bulliqi e mirëpriti këtë iniciativë dhe shprehu gatishmërinë e tij të bashkëpunojë në zbatim të tyre. / KultPlus.com

Të ngjajshme