Vazhdon protesta për rastin e 11 vjeçares, kërkohet shkarkimi i Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë

5 Shtator, 2022 - 10:06 am

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se protesta për rastin e dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë, po vazhdon dhe kjo do të ndodhë derisa shteti nuk përgjigjet, përcjell KultPlus.

Përdhunimi i vajzës 11 vjeçare nga 5 djem e burra dhe dështimi institucional nuk mund të tejkalohet me dy shkarkime, dorëheqje e lojë fasjësimesh mes institucionesh. Dhuna ndaj vajzave dhe grave është në nivele pandemike, andaj dhe luftimi i saj duhet të jetë urgjencë kombëtare.

Njoftime të reja tregojnë që 11 vjeçarja ka qenë edhe më herët viktimë e përdhunimit dhe trafikimit. Për më shumë ajo ka qenë nën mbikëqyrjen e shtetit kur u përdhunua në gusht. Ajo u la nga shteti pa mbrojtje i cili u bë bashkëfajtor në përdhunimin e saj. E kjo jo si incident i izoluar por si sjellje e vazhdueshme e shtetit në raport me vajzat dhe gratë që përjetojnë dhunë me bazë gjinore në Kosovë. Shteti vazhdon ta ushqejë fenomenin e dhunës ndaj grave duke mos ndëshkuar mostrajtimin e duhur të rasteve të dhunës ndaj grave.

Neglizhenca e shtetit është duke ua rrezikuar dhe më tej vajzat dhe gratë në Kosovë, sidomos atyre të mitura. 85% të viktimave të dhunës seksuale në periudhën 2019-2021 kanë qenë të mitura sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës. Tutje, raporte kanë treguar se gjykatat vendore kanë dhënë dënime nën minimumin e lejuar me ligj në më shumë se gjysmën e rasteve të dhunës seksuale.

Ndaj kësaj braktisje shtetërore dhe pasigurie, ne zgjidhje të vetme e kemi protestën. Të hënën ne mblidhemi dhe i përgjigjemi me revoltë mos adresimin e duhur të kërkesave tona të së mërkurës. Në përgjigje të adresimit të kërkesave tona nga Qeveria dhe detajeve të reja që e përfshijnë edhe Prokurorinë, protestën tonë do ta nisim tek Qeveria e do ta përfundojmë tek Këshilli Prokurorial. Pas Qeverisë, ne do të ulemi dhe do ta bllokojmë hyrjen e Këshillit Prokurorial deri sa të marrim përgjigje për kërkesat tona.

Kërkesat për Qeverinë të hënën janë:

1. Legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray)

2. Shkarkimin e zyrtarëve policorë përgjegjës për rastin e përdhunimit të së miturës;

3. Krijimi i një njësiti të specializuar për dhunë seksuale në Polici;

4. Siguri, drejtësi dhe rehabilitim për të mbijetuarat e dhunës seksuale, përfshirë këtu këshillimin psikologjik të vazhdueshëm të të miturës 11 vjeçare të ofruar nga shteti;

5. Futjen e lëndës së edukatës seksuale në shkolla përfshirë këtu edhe qendrat e korrektuese. Edukimi mbi seksualitetin dhe integritetin fizik është qenësor në të kuptuarit e drejt të konceptit të dhënjes së pëlqimit si parakusht i krijimit të çdo marrëdhënieje seksuale.

6. Minstri i Financave, Transfereve dhe Punës, Hekuran Murati të krijojë komision hetues për përdhunimin e të miturës i cili zhvillon punimet publikisht dhe publikon konkluzionet dhe rekomandimet e tij;

7. Këshillit Prokurorial të Kosovës t’i propozojë presidentes shkarkimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë Kujtim Munishi.

Protesta e së mërkurës kundër përdhunimit të 11 vjeçares nga 5 djem e burra, na çoi tek informata të reja që e dyfishojnë fajin e shtetit në këtë krim. Të premten u arrestuan edhe 6 burra tjerë të cilët në qershor e kishin trafikuar, e kishin dhunuar dhe e kishin shfrytëzuar për shërbime seksuale të miturën. Përkundër kësaj, ne jemi pa llogaridhënie prej Prokurorisë së Shtetit që kanë dështuar ta mbrojë viktimën dhe ta parandalojë përdhunimin e saj në gusht.
Në anën tjetër, Qeveria sot na njoftoi që ka nisur punën për kërkesat tona. Ndonëse e mirëpresim këtë, ne do t’i qëndrojmë mbrapa të gjitha kërkesave tona deri sa të gjitha të realizohen.
Në këto kushte, protesta e nesërme nuk mund të ndalet tek Qeveria. Ajo do të vazhdojë drejt KPK-së, ku do të kërkojmë shkarkimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.
Sa më shumë prej nesh, aq më të forta/ë jemi!
“, thuhet në njoftimin e tyre./ KultPlus.com

Të ngjajshme