1 Shtator, 2022 - 11:56 am
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se protesta për rastin e dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë, po vazhdon dhe kjo do të ndodhë derisa shteti nuk përgjigjet. Madje ata janë shprehur senesë nuk marrin përgjigje do ta radikalizojnë rezistencën.
“Dje, pas më shumë se shtatë orë protestë, përfaqësues/e të zyrës së Kryeministrit dolën për të dëgjuar kërkesat tona. Të pranishme/ëm ishin: Luan Dalipi, Rozafa Kelmendi, Përparim Kryeziu dhe Arta Berisha. Ne e dhamë fjalën e fundit që kjo Qeveri ka kohë deri të premten të zotohet se do të nisë punën për kërkesat tona ose ne do të thërrasim prapë protestë gjithëpopullore”, thuhet në njoftim.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka renditur edhe kërkesat për të cilat presin përgjigje.
Kërkesat mbesin këto:
1. Legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray);
2. Shkarkim të gjykatësve që kanë dhënë dënime nën minimalen e lejuar me ligj dhe që kanë zbutur dënimet nën minimumin kohëzgjatjes së dënimit për dhuniminpër rastet e dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave;
3. Shkarkim të zyrtarëve policorë dhe prokurorëve për neglizhimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore ndaj grave;
4. Krijimin e mekanizmave efektivë të cilat e trajtojnë me dinjitet të mbijetuarave të dhunës seksuale;
5. Futjen e lëndës së edukatës seksuale në shkolla
“Nëse Qeveria nuk na përgjigjet dhe ne nuk marrim garancion për sigurinë tonë, rezistenca jonë veç sa do të radikalizohet. Ne nuk do të lejojmë që asnjë vajzë e grua të jetojë nën dhunë e frikë”, thuhet tutje. / KultPlus.com