17 Dhjetor, 2021 - 3:06 pm
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku po vazhdon serinë e diskutimeve të hapura me komunitetin artistik e kulturor, ku mbrëmë është mbajtur takimi i katërt, shkruan KultPlus.
Në serinë e katërt ishte radha e komunitetit dhe ansambleve folklorike që të diskutojnë së bashku edhe me shoqëritë kulturore artisitke mbi artin e kulturën.
Fillimisht, ministri paraqiti vizionin që është në programin për kulturën që ndërlidhet me pjesën e ansambleve folklorike dhe shoqërive kulturore artistike, ku do të ketë mbështetje dhe konsolidim të vazhdueshëm të institucioneve që kultivojnë traditën folklorike në vendin tonë, mbështetja e institucioneve dhe organizatave që merren me folklor është edhe prej orientimeve strategjike, mbështetje mbi edukimin dhe dokumentimin e trashëgimisë shpirtërore folklorike i cili është një detyrim i përhershëm i ministrisë.
Adresimi i çështjeve si rregullimi i statusit të artistit të pavarur në kuadër të ligjit për kulturën, ku përfshihen edhe performuesit, valltarët, instrumentistët, mbështetja e qëndrueshme dhe rritja e buxhetit për Ansamblin Shota, konsolidimi dhe përkrahja për ansamblet që funksionojnë në Kosovë, prezantimi i kulturës tonë në skenën ndërkombëtare si interes strategjik që të kemi një prezencë më të madhe ndërkombëtare, infrastruktura kulturore, me theks ajo edukative mbi traditën tonë folklorike, janë ndër angazhimet e ministrisë në raport me përmirësimin e sektorit.
Edukimi për kulturë, në bashkëpunim me MASHTI-n është një për synimeve dhe me drejtuesit e Ansamblit Shota veç janë diskutuar dhe hartuar disa programe që të rinjtë të edukohen për folklorin dhe kulturën tonë në mënyrë që të bëhet ndërlidhja sa më e mirë mes shkollave të ciklit të ulët dhe të mesëm me krijuesit, performuesit dhe prodhuesve të aktivitetit kulturor.
Tema të tjera të cilat u diskutuan kishin të bënin me rregullimin e insfrastrukturës ligjore dhe fizike për të përmbushur edhe statustin e ansambleve dhe hapësirinë ku ato funksionojnë.
Kushtet më të mira për punë dhe vendi për t’u kryer aktivitet e tyre ishin disa prej kërkesave kryesore që u paraqitën në këtë diskutim të hapur që është mbajtur në ambientet e Kino Armatës. /KultPlus.com