Vdes akademik Minir Dushi

27 Janar, 2025 - 6:07 pm

Sot ka vdekur inxhinieri i parë shqiptar dhe akademiku Minir Dushi.

Lajmin për vdekjen e akademik Dushit e ka bërë Komuna e Mitrovicës përmes një telegram ngushëllimi, ku edhe është cilësuar një figurë e shquar në fushën e mineraleve.

Në këtë telegram ngushëllimi u tha se Dushi ishte themelues i shkollës së lartë teknike në Mitrovicës dhe drejtor në Trepçë.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të akademikut Minir Dushi, inxhinierit të parë shqiptar dhe një figure të shquar në fushën e mineraleve. Dushi ishte një personalitet i njohur dhe i nderuar, themelues i shkollës së lartë teknike në Mitrovicë, drejtor në Trepçë dhe inxhinieri i parë shqiptar, i cili la një trashëgimi të vyer në zhvillimin e industrisë dhe shkencës”, thuhet në njoftim.

Komuna e Mitrovicës nesër do të mbajë homazhe në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”.

“Në këto momente të dhimbshme, ne shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të. Kontributi i tij do të mbetet i paharruar dhe frymëzues për brezat që do të vijnë. Komuna e Mitrovicës, nesër do të mbajë homazhe në Qendrën e Kulturës ‘Rexhep Mitrovica’, nga ora 12:00 deri 14:00, për nder të jetës dhe veprës së tij. Pusho në paqe, akademik Minir Dushi”, ka shkruar Komuna e Mitrovicës./ KultPlus.com

Të ngjajshme