7 Tetor, 2024 - 10:30 am
Sot, në moshën 86 vjeçare ka vdekur piktori dhe akademiku Tahir Emra.
Emra ka qenë profesor në Fakultetin e Arteve të Prishtinës, si dhe korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Ai lindi më 10 mars të vitit 1938 në Gjakovë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse Shkollën e Mesme të Artit në Pejë.
Akademinë e Arteve Figurative dhe studimet pasuniversitare i kreu në vitin 1966 në Beograd, në klasën e piktorit e pedagogut të shquar prof. Nedelko Gvozdenoviq.
Në Fakultetin e Arteve të Prishtinës ka punuar qysh prej themelimit të tij (1974), ku ka ligjëruar klasën e pikturës dhe të studimeve pasuniversitare me titullin profesor ordinar.
Veprat e tij gjenden në shumë galeri, muze dhe koleksione private dhe janë vlerësuar lart në aspektin artistik. Është anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës.Në vitin 2000 zgjidhet anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës./ KultPlus.com