7 Shkurt, 2021 - 9:38 pm
George P. Shultz, ish-Sekretar amerikan i Shtetit për 6 vjet gjatë mandatit të Ronald Reaganit, i cili më 1993 e kishte këshilluar atëherë presidentin e SHBA-së, Bill Clintonin, që ta bombardonte Serbinë, ka vdekur në moshën 100 vjeçare sot.
Instituti Hoover në Universitetin e Stanfordit, ku Dr. Shultz veproi për një kohë të gjatë pasi dha dorëheqjen si sekretar i shtetit më 1989-ën, njoftoi për vdekjen e tij, por pa dhënë shkakun e vdekjes, raporton Washington Post.
Në një intervistë për “The New York Times” më 27 prill, 1993, Shultz kishte thënë se SHBA-ja duhet të nisë menjëherë sulmet ajrore kundër caqeve ushtarake serbe, madje edhe nëse homologët evropianë refuzojnë të marrin pjesë në bombardime.
Shultz në këtë intervistë kishte akuzuar Clintonin dhe liderët e Kombeve të Bashkuara për mosveprim ndaj rastit në Bosnje, duke thënë se kanë dështuar krejtësisht për të kuptuar nevojën për të kombinuar diplomacinë me forcën.
I pyetur mbi politikën e Clintonit në Bosnjë, Shultz kishte thënë: “Kur provoni të zhvilloni diplomaci pa forcë dhe pala tjetër e përdor forcën, sikurse në situatën në Bosnjë, përfundoni duke u dukur si i marrë”.
Ai po ashtu kishte thënë se serbët “e kanë mashtruar” OKB-në dhe Sekretarin e saj të Përgjithshëm, Boutros Boutros-Ghali. /Gazeta Express/ KultPlus.com