30 Tetor, 2024 - 12:12 pm
Berati humbi një figurë të shquar, historianen e koleksionisten Parashqevi Sahatçi (Salepi), të cilën kryebashkiaku Ervin Demo e quajti “Zonjën e Fotografisë”.
Dashuria për qytetin e saj, Beratin, i ngjizi Parashqevisë edhe pasionin për fotografinë, duke përjetësuar me shkrepjet e aparatit dhe koleksionin e saj të fotove, ngjarje të jetës shoqërore, politike dhe kulturore.
Kryetari i bashkisë, Ervin Demo tha se, falë koleksionit të pasur të Mjeshtres së Madhe Parashqevi Sahatçi dhe publikimeve, kemi sot një album të pasur të kujtesës historike të qytetit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Ervin Demo i shprehu ngushëllimet familjes, për humbjen e njeriut të dashur si dhe nderime për veprën e saj të përjetshme.
Në Berat, mësuese Parashqevi Sahatçi, njihej si mësuesja e dashur për breza me radhë, të cilët i edukoi në qytetin e “një mbi një dritareve”. Përveç titullit “Mjeshtër i Madh” që e mori nga presidenti Bujar Nishani, ajo ishte vlerësuar që në 1979 me titullin: “Naim Frashëri” si historiane dhe etnografe dhe në vitin 1990 është vlerësuar me “Medalje për shërbime shtetërore dhe shoqërore”./atsh/KultPlus.com