Vdes gazetari dhe pedagogu, Ilir Dhima

7 Dhjetor, 2022 - 10:53 pm

Gazetari dhe pedagogu i të drejtës kushtetuese, Ilir Dhima është ndarë nga jeta në moshën 68-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë.

Dhima njihej për shkrimet e tij analitike veçanërisht sa i përket edukimit juridik.
Ilir Dhima studioi për gazetari në Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike të Universitetit të Tiranës, në vitet 1973-1977.

Që në fakultet Dhima tregoi interes për lëndët si e drejta kushtetuese, Stilistika dhe retorika, E drejta ndërkombëtare publike, Estetika etj.

Dhima e nisi karrierën në medie si gazetar dhe redaktor në Televizionin Publik Shqiptar ku qëndroi nga viti 1976 deri në vitin 1982. Ai u mor me përgatitjen dhe drejtimin e emisioneve të ndryshme televizive. Dhima ishte i pari që zhvilloi emision për rininë në Televizionin Publik Shqiptar.

Nga viti 1982 deri në vitin 1993 Dhima punoi si redaktor në gazetën “Bashkimi”, ku u mor me shkrime të zhanreve të ndryshme.

Në vitin 1995 Dhima kreu një kurs 9-mujor për “Kulturën helenike” në kuadër të programit Erasmus ku studioi mbi gjuhën greke dhe kreu module trajnimi për qendrat e Botës Klasike dhe djepin e demokracisë evropiane.

Në vitin 1996 Dhima themeloi Revistën “Tribunë Juridike”. Ai punoi si Kryeredaktor i kësaj reviste deri në vitin 2009.

Prej vitit 2011 Dhima themeloi dhe ishte Kryeredaktor i Revistës “Avokatia”, organ zyrtar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, deri në fund të jetës së tij.

Prej vitit 2005 Dhima ishte aktiv si komentator për çështje politiko-juridike në media të ndryshme në vend si Gazeta Shqiptare, Shqiptarja.com etj

Gazetari Ilir Dhima gjatë jetës së tij iu dedikua edhe karrierës akademike ku punoi për vite me radhë si pedagog i në Universitetin Jopublik “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi” dhe Universitetin Jopublik “Akademia Profesionale e Biznesit”, ku jepte lëndët e “E drejta kushtetuese” dhe “Mbrojtja ndërkombëtare e të drejtave të njeriut”.

Dhima la pas gruan, dy fëmijët dhe mbesën e tij, Vivian./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme