11 Shkurt, 2021 - 6:06 pm
Ka vdekur nga Covid-19, gazetarja e shquar nga Vlora, Zenepe Luka.
Zenepe Luka (Çekrezi), lindi në Librazhd, ku mori edhe arsimin tetëvjeçar. Pasi përfundoi shkollën e mesme “Luigj Gurakuqi” në Elbasan, kreu studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike në Tiranë dhe në maj të vitit 1973, u diplomua gazetare.
Profesionin e gazetares e nisi në revistën “Shqiptarja e Re”, për të vijuar në gazetën lokale “Kukësi i Ri”, më pas në gazetat e përditshme “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë” etj.
Është e para gazetare e RTSH në terren, që u vendos në Elbasan duke mbuluar edhe rrethet Gramsh e Librazhd. Kontribut të veçantë ka dhënë në qytetin e saj të lindjes, ku për shumë vite ka punuar si lektore, hulumtuese në Muzeun Etnografik dhe në të njejtën kohë edhe gazetare e gazetës “Bashkimi”.
Nga viti 1994 deri në vitin 2004, ka qenë gazetare e gazetës “Koha Jonë” për Vlorën, më pas në gazetat “Ballkan” dhe “Telegraf”. Ka vazhduar të punojë si gazetare e lirë në gazetat “Koha Jonë”, “Dita”, ”Shqiptarja.com” dhe organe të tjera në Diasporë.
Në maj të vitit 2020,mbushi 47 vjet karrierë si gazetare në terren me 12.000 shkrime të botuara, ku dominojnë zhanret e intervistës, reportazhit, kronikës,etj.
Një ngjarje që mbahet mend në karrierën e saj është venndosja e tritolit në banesë më 10 maj të vitit 1998, ku u shkatërrua banesa dhe u plagosën dy fëmijët.
Zenepe Luka është vlerësuar nga këngëtari i madh Italian Al Bano Karrisi,që i ka akorduar Premion” Zenepe Luka është Oriana Falasci shqiptare”.
1 vit më parë është vlerësuar nga Unioni i Gazetarëve me çmimin “Petro Marko” . / KultPlus.com