2 Gusht, 2021 - 10:20 am
Jay Pickett, aktori veteran i telenovelave i njohur më së shumti për rolet e tij në “General Hospital”, “Days of Our Lives” dhe “Port Charles”, ka vdekur në moshën 60 vjeç.
Gruaja e tij, Elena Pickett ka konfirmuar vdekjen e tij, transmeton KultPlus.
Pickett ndodhej në Idaho, duke xhiruar një skenë për filmin e tij të radhës “Treasure Valley” kur vdiq, tha regjisori i filmit, Travis Mills.
“Jay Pickett, njeriu ynë kryesor, shkrimtari, producenti dhe krijuesi i këtij filmi vdiq papritur përderisa ne ishim gati duke filmuar një skenë,” postoi Mills në faqen zyrtare të filmit në Facebook.
“Zemrat tona janë thyer dhe ne jemi të pikëlluar për familjen e tij, të cilët janë aq të shkatërruar nga kjo tragjedi tronditëse.”
“Ai ishte duke bërë atë që i pëlqente: duke luajtur, duke hipur mbi kuaj, duke bërë filma. Ai ishte i mrekullueshëm,” vazhdoi Mills.
Ndërsa shkaku ende nuk është zbuluar, vdekja e Pickett “duket të ketë qenë një sulm në zemër,” tha Mills, duke shtuar se të gjithë ata që ishin atje bënë çmos “për ta mbajtur atë gjallë”./KultPlus.com