16 Shkurt, 2021 - 2:48 pm
Muzikanti legjendar, Johnny Pacheco, i konsideruar si një prej baballarëve të salsas vdiq në Nju Jork në moshën 85-vjeçare, njoftoi familja e tij.
Muzikant, kompozitor dhe producent, Johnny Pacheco, i lindur më 1935 në Republikën Domenikane, kishte themeluar shtëpinë diskografike ”Fania Records” dhe grupin historik ”Fania All-Stars”, përmes të cilit kanë kaluar ikona salsa si Celia Cruz, Hector Lavos dhe Willie Colon.
“Me një dhimbje të madhe në shpirtin tim dhe një boshllëk të madh në zemrën time, unë ju njoftoj se maestro Johnny Pacheco vdiq sot në paqe. Shumë faleminderit për lutjet tuaja dhe për të gjithë dashurinë që i keni dhënë gjithmonë “, deklaroi bashkëshortja e tij Cuqui Pacheco, në një deklaratë të bërë në emër të familjes në llogarinë zyrtare të artistit në Facebook.
I lindur më 25 mars 1935 në qytetin domenikan të Santiago de los Caballeros, Juan Azarias Pacheco, i njohur më pas si Johnny Pacheco, kishte mbërritur në Nju Jork me familjen e tij që fëmijë.
Pas studimeve për muzikë në shkollën e famshme ”Juilliard”, ai filloi karrierën e tij në vitet 1950 dhe u bë me famë me orkestrën ”Pacheco y su Charanga”./ atsh / KultPlus.com