25 Shtator, 2022 - 5:00 pm
Aktorja Louise Fletcher, e cila mori çmimin Oscar me rolin e infermieres së keqe, Ratched, në filmin e vitit 1975 “One Flew Over the Cuckoo’s Nest” vdiq dje në mbrëmje vonë, në moshën 88-vjeçare.
”Fletcher, e cila luftoi dy herë me kancerin e gjirit deri në moshën 80-vjeçare, vdiq në shtëpinë e saj në Francë”, sipas agjentit David Shaul, i cili konfirmoi lajmin për ”Deadline”.
Ndërsa roli i infermieres së akullt në adaptimin e mirënjohur të Milos Formanit, të romanit të Ken Kesey, e bëri Fletcherin të famshëm, ajo u anashkalua në favor të aktorëve më të rinj.
Por, ajo pati sukses me role si liderja fetare Kai Winn Adami në filmin “Star Trek: Deep Space Nine” dhe matriarkja gojëndyrë Peg në filmin “Shameless”.
“Nëse një rol më intereson, nuk më intereson se sa i vogël është”, tha ajo për ”Los Angeles Times” në vitin 1982.
“Njerëzit gjithmonë më thonë do të shkatërrosh karrierën tënde duke bërë role të tilla të vogla. Por, mua më pëlqen të punoj. Dhe nuk mund të ulesh në shtëpi dhe ta quash veten aktore. E vetmja mënyrë për të qenë aktore është të aktrosh”, thoshte ajo.
E lindur Estelle Louise Fletcher në Birmingham, Alabama, më 22 korrik 1934, ajo ishte e dyta nga katër fëmijët e prindërve të shurdhër.
Babai i saj, Robert, ishte një shërbëtor episkopal, i cili humbi dëgjimin kur u godit nga rrufeja në moshën katërvjeçare.
Nëna e saj, Estelle, u lind e shurdhër. Babai i saj e kalonte pjesën më të madhe të kohës larg shtëpisë, ndërsa kujdesej për personat me dëmtim të dëgjimit./ KultPlus.com