26 Shtator, 2023 - 2:14 pm
Ka vdekur sot, në moshën 70 vjeçare, doktori dhe ish-ushtari i UÇK-së, Shukri Gërxhaliu.
Lajmi është bërë i ditur nga familjarët të cilët edhe kanë njoftuar se varrimi bëhet nesër me kohë të drekës në Studime të Vushtrrisë.
Më 20 shkurt të këtij viti Dr. Shukri Gerxhaliu, u nderua nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me Medaljen Presidenciale te Meritave për kontributin e dhënë gjate luftës në Kosovë.
Për ndarjen nga jeta të Gërxhaliut kanë reaguar edhe nga Qendra Kombëtare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës – QKRMT ku përmes një statusi në rrjetet sociale janë shprehur se Gërxhaliu ishte një individ i jashtëzakonshëm, një mjek i cili më përkushtim, dhembshuri e humanizëm preku jetët e individëve të panumërt gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Tutje nga QKMRT janë shprehur se Gërxhaliu ilustron vlerat e vetëmohimit dhe ndjeshmërisë, duke shkuar përtej ofrimit të kujdesit, duke qenë edhe ngushëllim për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Ky është postimi i plotë nga QKRMT:
Në kujtim të mjekut z. Shukri Gërxhaliu
Sot, me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të një individi vërtet të jashtëzakonshëm – një mjeku, përkushtimi, dhembshuria dhe humanizmi i të cilit preku jetën e individëve të panumërt gjatë dhe pas luftës së Kosovës.
Si bashkëpunëtor i QKRMT-së, z. Gërxhaliu ilustron vlerat e vetëmohimit dhe ndjeshmërisë, duke shkuar përtej ofrimit të kujdesit, duke qenë edhe ngushëllim për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Përpjekjet e tij të palodhura dhe angazhimi i palëkundur ofruan shpresë dhe ngushëllim për ato dhe ata që kishin duruar vuajtje të paimagjinueshme.
Trashëgimia që z. Gërxhaliu la pas, nuk kufizohet vetëm në trajtimet mjekësore, por rrezaton edhe në mirësinë dhe dhembshurinë e thellë që ai ndau me çdo pacient. Doktor Shukriu, na kujtuan të gjithëve fuqinë e njerëzimit për të shëruar dhe për t’u ngritur edhe në kohërat më sfiduese.
Kujtimi i tij do të mbetet përgjithmonë i gdhendur në zemrat tona dhe trashëgimia e tij e humanizmit do të vazhdojë të na frymëzojë.
U prefsh ne paqe i nderuar doktor. Do të na mungosh thellësisht, por trashëgimia juaj e dashurisë dhe humanizmit do të vazhdojë të gjallërojë tek të gjithë bashkëpunëtorët tuaj dhe gjithë ata të cilëve ju keni dhënë ndihmë dhe shpresë në kohërat më të vështira. / KultPlus.com