25 Korrik, 2024 - 5:17 pm
Arti dhe kultura shqiptare kanë humbur njërin prej emrave të shquar, piktorin, poetin e kritikun Nebih Muriqi, në moshën 83-vjeçare. Lajmi për vdekjen e tij është dhënë në orët e para të së enjtes.
Muriqi ka lindur në vitin 1943 në Portës të Shqipërisë, shkollën fillore e ka kryer në Novosellë të Pejës, kurse atë të mesmën në shkollën e artit në Pejë. Akademinë e Arteve aplikative në Beograd më 1969 ku kreu edhe studimet pasuniversitare për pikturë monumentale.
Në fillim, ai ka punuar në redaksinë e revistës “Fjala” si redaktor artistik prej vitit 1972 deri më 1974 pastaj në Akademinë e Arteve në Prishtinë mbajti lëndën nudo si mësimdhënës gjatë viteve 1975 deri më 2006.
Sipas biografisë së tij në “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës” botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, ishte drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës prej vitit 1988 deri më 1992.
Si anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës mori pjesë në ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit dhe hapi disa ekspozita personale si në Beograd (1969, 1975), Sombor (1971) Novi Sad (1974) dhe Prishtinë (1973, 1984, 2010. Vizatimet dhe pikturat e tij i veçon shprehja ekspresive me simbolikë. “Ka trajtuar psikologjinë e njeriut në rrethanat e kohës dhe në hapësirën e caktuar.
Përveç me pikturë u mor intensivisht me shkrime kritike dhe eseistike për artet figurative”, shkruhet në “Enciklopedi”. Po aty shkruhet se në këtë fushë botoi librin me ese “Baraspesha estetike” më 1989.
Shumë herët filloi të merret intensivisht edhe me poezi. Botoi disa përmbledhje poetike: “Në syrin e pranverës” (1965), “Kariatidet” (1973), “Yll në gur” 1979, “Hedhësi i diskut” (1986), “Gjakshkrim” (1996) e të tjera. Për pikturë dhë për poezi mori disa çmime dhe mirënjohje./KultPlus.com