24 Janar, 2024 - 2:32 pm
Është ndarë nga jeta profesori, njëherit kontribuuesi shumëvjeçar në fushën e arsimit në Republikën e Kosovës, Dr. Moshe Landsman, përcjell KultPlus.
Për vdekjen e profesorit Landsman, ka reaguar Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ku përmes një telegram ngushëllimi janë shprehur se profesori Landsman kishte më shumë se dy dekada që e vizitonte Kosovën, duke ofruar një kontribut të gjerë, intensiv dhe të vazhdueshëm për arsimin, me theks të veçantë kontributin e tij në themelimin e Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, në vitin 2001.
“Themelimi i Departamentit të Psikologjisë në periudhën e pasluftës në Kosovë, ishte ngjarje tepër e rëndësishme në aspektin e trajtimit të shëndetit mendor të qytetarëve dhe faktor jetik për zhvillimin e kuadrove profesionale, për ofrimin e shërbimeve në fushën e psikologjisë.
Profesori Landsman ka kontribuuar edhe në përkrahjen e vazhdueshme të stafit profesional për ofrimin e shërbimeve për personat e prekur nga autizmi, ndërsa me angazhimin e tij të pandalshëm ka ngritur qendra që ofrojnë programe për shëndetin mendor dhe mbështetje kognitive, psikologjike dhe psikiatrike, në shërbim të njerëzve, të të gjitha moshave”, thuhet në telegram.
Në emër të MAShTI-t, ministrja Arbërie Nagavci shpreh ngushëllime të sinqerta për humbjen e njeriut i cili dha gjithçka për vendin tonë dhe me punën e tij mori rrugën e duhur një nga departamentet më të rëndësishme të arsimit.
“Pushoftë në paqe profesor Landsman!”, thuhet në telegram. / KultPlus.com