2 Dhjetor, 2023 - 9:00 am
Ish anëtarja e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, Sandra Day O’Connor, një zë i palëkundur i konservatorizmit të moderuar dhe gruaja e parë që shërbeu në gjykatën më të lartë të vendit, vdiq të premten. Ajo ishte 93 vjeç.
Zonja O’Connor vdiq në Feniks, nga komplikimet që lidhen me demencian dhe një sëmundje të frymëmarrjes, tha Gjykata e Lartë në një njoftim për shtyp.
Kryetari i Gjykatës së Lartë John Roberts tha përmes një deklarate se “Gruaja nga pjesa jugperëndimore e Amerikës, Sandra Day O’Connor la gjurmë historike si gjykatësja e parë femër e vendit tonë”. “Ajo punoi me vendosmëri, aftësi të padiskutueshme dhe angazhim të sinqertë”.
Në vitin 2018, ajo njoftoi se ishte diagnostikuar me “fazat fillestare të demencias, me gjasë e shkaktuar nga sëmundja e alcajmerit”. Burri i saj, John O’Connor, vdiq nga ëasojat e të njëjtës sëmundje në 2009.
Ajo ishte mbesa e një amerikani që udhëtoi në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara nga Vermonti dhe ndërtoi fermën familjare rreth tre dekada përpara se Arizona të bëhej shtet. Zonja O’Connor ishte këmbëngulëse dhe kishte një shpirt të pavarur. Si fëmijë, që u rrit në një rajon rural t vendit, ajo punoi me kuajt, bagëti dhe makineri bujqësore si traktorët dhe kamionët.
“Unë nuk i bëra të gjitha gjërat që i bënin djemtë”, tha ajo në një intervistë për revistën ‘Time’ në vitin 1981, “megjithëatë, kam riparuar mullinjë ere dhe gardhe”.
Në Gjykatën e Lartë, ndikimi i saj ishte i theksuar në vendimet e gjykatës për abortin, çështja më përçarëse me të cilat u përballën gjykatësit. Zonja O’Connor nuk pranoi t’i lejojë shtetet të shpallin të jashtëligjshëm shumicën e ligjeve të abortit, duke refuzuar në vitin 1989 të bashkohet me katër gjyqtarë të tjerë që ishin gati të anulonin vendimin historik të vitit 1973 Roe kundër Wade, që e bëri abortin të drejtë kushtetuese.
Më pas, në vitin 1992, ajo ishte pjesë e shumicës prej pesë anëtrëve të Gjykatës së Lartë, që riafirmuan vendimin e vitit 1973 për abortin. “Disa e konsiderojnë abortin një ofendim të parimeve të tyre, por kjo nuk mund të ndikojë mbi vendimin tonë”, tha zonja O’Connor në gjykatë, duke lexuar një përmbledhje të vendimit të vitit 1992. “Detyrimi ynë është të përcaktojmë lirinë e të gjithëve, jo të fusim në fuqi kodin tonë moral”.
Tridhjetë vjet më vonë, Gjykatë e Lartë, me një shumicë konservatore përmbysi vendimin e vitit 1973 për abortin. Vendimin e shumicës e shkruajti gjykatësi Samuel Alito. Ai zëvendësoi zonjën O’Connor më 2006, pasi ajo doli në pension. Presidenti George W. Bush e emëroi zotin Alito në postin e anëtarit të Gjykatës së Lartë dhe kandidatura e tij u miratua nga Senati.
Në vitin 2000, zonja O’Connor ishte pjesë e shumicës në një votim që i dha fund zgjedhjeve të debatueshme presidenciale të vitit 2000 në favor të kandidatit republikan George Bush, i cili ishte në garë me rivalin e tij demokrat Al Gore.
Zonja O’Connor u vlerësua me shumë dashuri nga shumë kolegë të saj. Kur ajo doli në pension, gjyqtari Clarence Thomas, një konservator i vijës së ashpër, e quajti atë “një kolege të shquar, që fliste me kujdes kur votonte kundër shumicës (në Gjykatën e Lartë) dhe nuk mburrej kur votonte me shumicën”.
Sidoqoftë, ajo me raste i shprehte pikëpamjet e saj edhe në mënyrë më thumbuese. Një nga veprimet e saj të fundit si gjyqtare ishte vota kundër kundër vendimit të Gjykatës së Lartë për të lejuar qeveritë vendore të sekuestrojnë pronat personale për të lejuar kompanitë private të ndërtojnë qendra tregtare, ndërtesa për zyra dhe objekte të tjera. Ajo paralajmëroi se shumica e gjyqtarëve vendosi në mënyrë të pamatur duke u dhënë akoma më shumë pushtet entiteteve të fuqishme. “Fantazma e këtij vendimi tani rrezikon të gjitha pronat”, shkroi ajo. “Asgjë nuk e pengon tani shtetin që të zëvendësojë çdo shtëpi me një qendër tregtare, apo çdo fermë me një fabrikë.”
Zonja O’Connor, të cilën komentuesit dikur e quanin gruaja më e fuqishme e vendit, mbeti gruaja e vetme anëtare e Gjykatës së Lartë amerikane deri në vitin 1993, kur Presidenti Bill Clinton emëroi gjykatësen Ruth Bader Ginsburg, diçka që ajo e priti me kënaqësi dhe lehtësim. Gjykata aktualisht ka katër gjyqtare, numrin më të madh të grave anëtare në historinë e saj.
Reagimi i madh ndaj emërimit të zonjës O’Connor e kishte habitur atë. Ajo mori më shumë se 60,000 letra në vitin e saj të parë si gjyqtare, më shumë se çdo anëtar në historinë e gjykatës. “Nuk e kisha idenë kur u emërova se sa do të thoshte emërimi im për shumë njerëz në mbarë vendin”, tha ajo. “Emërimi im i preku njerëzit në një mënyrë shumë personale. Njerëzit e panë atë si një sinjal se ka mundësi të pakufizuara për gratë. Emërimi ishte i rëndësishëm për prindërit e vajzave dhe për vetë vajzat”.
Nganjëherë, publiciteti i vazhdueshëm ishte pothuajse i padurueshëm. “Unë kurrë nuk e kisha pritur këtë e as që kisha dëshirë të madhe të bëhesha anëtare e Gjykatës së Lartë”, tha ajo.
Pas daljes në pension, zonja O’Connor shprehu keqardhje që ajo nuk u zëvendësua me një grua. Ajo mbeti aktive në qeveri edhe pasi u tërhoq nga gjykata. Ajo punoj si gjyqtare në disa gjykata federale të apelit, mbrojti pavarësinë e gjyqësorit dhe shërbeu në Grupin Studimor të Irakut. Ajo gjithashtu u emërua në postin e nderit të kancelares në Kolegjin ‘William dhe Mary’ në Virxhinia.
Zonja O’Connor përmendi përballjen e të shoqit me sëmundjen e alcajmerit si arsyen për largimin nga gjykata.
Gjatë punës si anëtare e Gjykatës së Lartë, zonja O’Connor në përgjithësi favorizonte shtetet në mosmarrëveshjet që kishin me qeverinë federale. Ajo shpesh mbante anën e policisë kur ata përballeshin me pretendime për shkelje të të drejtave të njerëzve. Në vitin 1985, ajo e shkroi vendimin e gjykatës pasi u vendos që rrëfimi i një të dyshuari kriminal, të cilit i janë lexuar fillimisht të drejtat e tij, mund të përdoret si provë gjatë gjykimit edhe nëse policia ka shkelur të drejtat e të dyshuarit ndërsa ishte marrë në pyetje mëparë.
Zonja O’Connor ishte 51 vjeç kur ajo iu bashkua gjykatës duke zëvendësuar Potter Stewart që kishte dalur në pension. Një e panjohur në skenën kombëtare deri në emërimin e saj, ajo kishte shërbyer si gjykatëse e shtetit të Arizonës dhe para kësaj si anëtare e legjislaturës së shtetit të saj.
Ajo ishte diplomuar më rezultate të larta në fakulteti juridik të Universitetit të Stanfordit, në vitin 1952. Zonja O’Connor tha se shumica e firmave të mëdha ligjore atëkohë nuk punësonin gra, ndërsa ajo e filloi karrierën si sekretare.
Në fund të vitit 1988, zonja O’Connor u diagnostikua me kancer të gjirit dhe iu nënshtrua një operacioni për heqjen e gjirit. Gjatë kësaj kohe ajo nuk doli në punë vetëm për dy javë.
Zonja O’Connor u ndje e turpëruar në vitin 1989 pasi republikanët konservatorë në Arizona përdorën një letër që ajo kishte dërguar për të mbështetur pretendimin e tyre se Shtetet e Bashkuara janë një “vend i krishterë”. Letra e vitit 1988, e cila shkaktoi disa kritika të ashpra ndaj zonjës O’Connor nga studiues ligjorë, citonte tre vendime të Gjykatës së Lartë në të cilat diskutohej trashëgimia e krishterë e vendit.
Ajo tha se i vinte keq për përdorimin e letrës në një debat politik. “Nuk ishte qëllimi im të shpreh një pikëpamje personale mbi këtë temë”, tha në atë kohë zonja O’Connor./VOA/ KultPlus.com