19 Janar, 2023 - 9:20 am
Cirku Kombëtar bën të ditur se është ndarë nga jeta Sanie Baçova, artistja që zbuste kafshët e cirkut shqiptar është ndarë nga jeta.
Cirkut Kombëtar në një postim në rrjetet sociale thekson se Baçova ishte gruaja e parë që kishte profilin e mësuesve me “nxënës-qen”.
“Ishte viti 1964 në korridoret e Cirkut të Tiranës, mes akrobatëve, zhonglerëve, ekuilibristëve, klounëve, u duk edhe një vajzë e re, e veshur rroba akrobatësh. Në dorë mbante një shkop të hollë, të vogël, duke zhvilluar një orë mësimi në një klasë, me banka, dërrasë të zezë, “nxënësit’ e saj ishin; Rrapi, Xhina, Diana dhe Luçi. Mësuesja e tyre, Sania i drejtonte të sistemoheshin nëpër banka të rrinin urtë e të silleshin mirë, të kishin mendjen në mësim. Ishte ora e matematikës. Mësuese Sania shkruante numra në dërrasën e zezë dhe “nxënësit-qen” me lehjet e tyre plot zë të lartë, jepnin zgjidhjen e veprimit matematikor. Kur u shfaq ky numër para spektatorëve, në premierën “Fluturime akrobatike”, jo vetëm u prit me kureshtje, por edhe u duartrokit shoqëruar edhe me të qeshura. Spektatorët kishin parë në cirk, një zbutëse kafshësh femër. Kjo ishte ngjarja që do të mbetet në kujtesën e historisë, si zbutësja e parë e kafshëve dhe e vetme në Artin e Cirkut Shqiptar”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Cirku Kombëtar.
Nëntori i vitit 1959 me realizimin e një shfaqje të plotë cirku, që u titullua ‘‘Shkopi Magjik’’, do të shënonte momentin e lindjes së Cirkut Shqiptar që këtë vit shënon 64 vjetorin e tij.
Në përvjetorin e tij të 60-të, Ministria e Kulturës organizoi një ceremoni duke nderuar me dekoratën e mirënjohjes figura më të njohura të cirkut shqiptar, për pasionin dhe përkushtimin e dëshmuar për të mbajtur gjallë këtë art të veçantë, mes të cilëve edhe Sanie Baçova./ Atsh / KultPlus.com