17 Mars, 2024 - 3:49 pm
Mjeshtri i zërit, Spiro Konduri është ndarë nga jeta në moshën 83 vjeçare.
Lajmi bëhet i ditur nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit duke u shprehur se “Spiro Konduri ka lënë pas një trashëgimi zanore të regjistruar në shirita optikë e magnetikë si në fonotekën e arkivit tonë të filmit ashtu edhe në atë të Radio Tiranës”.
“Një jetë dedikuar teknikës së audios për të na dhuruar zëra, tinguj, tonalitete, ngjyra, emocione në filmat shqiptarë, si edhe miqësi të mirë të një njeriu e kolegu si Spiro. U prehtë në paqe”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit.
Spiro Konduri lindi në Durrës më 20 qershor 1941, ku kreu edhe shkollën e mesme. Ne vitin 1964 mbaroi studimet e larta ne Universitetin e Tiranës si inxhinier elektronik. Punoi deri ne vitin 1969 si inxhinier ne Radiostacionin e Shijakut dhe po në këtë kohë u transferua në Radio-Tirana vendi ku punon deri në vitin 1975.
Në Kinostudio filloi të punojë si operator zëri në filmin dokumentare. Filmi i tij i parë ishte “Arbëreshet” , i cili u nderua me çmim për kolonën zanore. Paralelisht merrej me regjistrimi e zërit edhe në disa filma vizatimore. Filmi i parë artistike ku regjistroi kolonën zanore ishte “Gjeneral gramafoni” – 1978. Deri në vitin 1991 realizoi rreth 20 filma te tjerë artistike, përveç filmave dokumentare dhe vizatimore.
Për filmin vizatimore “Peshorja” është nderuar me çmim. Ndër filmat artistike bëjnë pjesë: “Në shtëpinë tonë” – 1979; “Qortimet e vjeshtës” – 1981; “Në çdo stine” – 1981 (nderuar me çmim); “Vendimi” – 1984; “Dhe vjen një ditë” – 1986; “Përralle nga e kaluara” – 1987; “Vrasje në gjueti” – 1987; “Kthimi i ushtrisë së vdekur” – 1989;
Në vitin 1991, kaloi përsëri si inxhinier dhe ne v. 1992 ishte kryeinxhinier në Radio-Tirana.
Konduri, njohës i thellë fizikës akustike, konsiderohet një nga pionerët e Radio Tiranës ku kontribuoi për vite me radhë, në modernizimin e saj veçmas në sektorin e regjistrimit
Filmi i tij i fundit ishte dokumentari “Bora që bie në det” realizuar në vitin 1999./atsh/KultPlus.com