11 Maj, 2020 - 11:53 am
Akademiku i njohur Gudar Beqiraj është ndarë sot nga jeta në moshën 72-vjeçare. Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë Vasil Tole, nënkryetar i Akademisë së Shkencave, i cili ka thënë se familja humbi njeriun e shtrenjtë, kurse Akademia akademikun e përkushtuar.
Akademiku Beqiraj u nda nga jeta në ditën e vet të lindjes.
“Sot u nda nga ne miku dhe akademiku Gudar Beqiraj! Zgjodhi të ikte në ditën që lindi, si për ta kujtuar vetëm 1 herë në gëzim, e jo ndryshe! I paharruar do të jesh miku ynë, që e filloje ditën me fjalët: “Ç’farë të mire do të bëjmë sot”? Familja humbi njeriun e saj të shtrenjtë, Akademia e Shkencave kolegun dhe akademikun e përkushtuar, bota e sportit shqiptar një sportist dhe dashamirës të madh të saj, dhe ne mikun tonë zemërgjerë, si AI!”, ka shkruar Tole në “Facebook”.
Kryesia e Akademisë së Shkencave njofton gjithashtu me hidhërim të thellë se akademiku Gudar Beqiraj ndërroi jetë nga një sëmundje e papritur.
Gudar Beqiraj ishte një nga anëtarët e Asamblesë me më shumë gjurmë në jetën institucionale të Akademisë së Shkencave.
“Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për Akademinë tonë të Shkencave, për bashkësinë e studiuesve të fushave ku ai veproi, për miqtë e shumë në universitete brenda dhe jashtë vendit, për qytetarët e shumtë me të cilët e patën lidhur interesat e tij të fuqishme dhe ndjenjat e fisme njerëzore.”
Gudar Beqiri ishte njeriu i kërkimit dhe i pasioneve, i punës dhe drejtimit shkencor, i përgjegjësive administrative dhe vullnetarizmit olimpik, i ekspertizës në fushën e informatikës aplikative brenda dhe jashtë vendit.
Akademik Gudar Beqiraj i takon atij brezi që mori formimin bazik në Universitetin e Tiranës dhe u formua e specializua jashtë vendit. I diplomuar në fushën e matematikës, ai plotësoi kualifikimin në fushën e gjeostatikës në Qendrën e njohur të kësaj fushe në Fontainbleau (Francë), duke thelluar njohjen në fushën e krijuar me tezën e doktoratës ”Transformimi Fourier dhe aplikimet e tij”.
Ai është ndër të parët specialistë shqiptarë të formuar në metodat e informatikës së aplikuar në fushën e gjeofizikës (Universiteti Paris VI, Francë), duke vijuar më tej me formimin përmes punës në Universitetin “La Sapienza” (Romë) dhe me drejtimin e projektit informatik katërvjeçar për regjistrimin dhe përpunimin e të dhënave të kadastrës italiane.
Gudar Beqiri ka përfaqësuar dijen vendëse në fushën e informatikës aplikative qysh në vitet 1980, si pjesëmarrës në veprimtari të rëndësishme shkencore ndërkombëtare, si Kongresi III Botëror i Gjeostatistikës (Avignon, 1987); në simpoziumin ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në gjeologji-miniera (1989, Çeki); në simpoziumin “Codota” (Leeds, 1990)); në simpoziumin ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në gjeologji-miniera (me një vlerësim me medalje argjendi të paraqitjes shkencore, Çeki, 1991).
Që prej tri dekadash akademik Gudar Beqiraj është i përfshirë në ekspertizë dhe oponencë shkencore ndërkombëtare nga institucione jashtë vendit. Vlerësues i jashtëm në programe doktorate në Francë, specialist i ftuar për vlerësimin e projekt-propozimeve në kuadrin e programit “Copernicus” të Komisionit Europian, drejtues në projektet e Komisionit Europian “Seeren”, “Seeren2”, “Isotea”, “Seefire”, “See-grid”, “See-grid2”, “See-grid-sci”, “Ict-web-proms”.
Gudar Beqiraj ka veprimtari universitare të pandërprerë që prej më shumë se katër dekadash, si pedagog i matematikës dhe i informatikës. Ai është autor i shumë artikujve dhe botimeve në shqip e në gjuhë të huaj në fushat ku ushtron veprimtarinë kërkimore-shkencore. Në karrierën e akademikut Gudar Beqiraj numërohen detyra të rëndësishme, që prej atyre të drejtimit shkencor (si dekan) deri tek drejtimi institucional (si drejtor i Institutit të Matematikës Llogaritëse INIMA). Gudar Beqiraj ka drejtuar Akademinë e Shkencave i zgjedhur nga Asambleja në detyrën e kryetarit dhe të zëvendësit.
Përveç veprimtarisë shkencore, universitare dhe administrative, Gudar Beqiraj është një personalitet në fushën e sportit të peshëngritjes, si sportist dhe arbitër (duke përfshirë arbitrimin në kategorinë e parë ndërkombëtare), si president i federatës kombëtare të këtij sporti dhe zëvendëspresident i Komitetit Olimpik Kombëtar, si kryesues i delegacioneve shqiptare në lojërat olimpike, kampionatet botërore, lojërat mesdhetare dhe kampionatet europiane e ballkanike. Për këtë veprimtari ai është nderuar me diploma nderi nga Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, si dhe me “Urdhrin Olimpik” kombëtar.
Së fundi kryente detyrën e Rektorit të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë. / KultPlus.com