7 Mars, 2021 - 5:57 pm
Ka vdekur profesori i Universitetit të Prishtinës, Zejnullah Gruda. Kjo është bërë e ditur nga kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri i cili i ka shprehur ngushëllime familjes Gruda.
“Prehu në paqe profesor i dashur, Zejnullah Gruda. Ishte njëri ndër profesorët pejan më të shquar dhe themelues të universitetit i cili ka dhënë kontribut të madh për botën akademike”, thuhet në njoftimin e tij.
Zejnullah Gruda kishte lindur në qytetin e Pejës në vitin 1936. Ai ishte ndër profesorët e parë të Universitetit të Prishtinës, i shkolluar në Beograd dhe Sarajevë për Jurisprudencë.
Gjatë viteve 1975-1978 kishte shërbyer si ambasador i Jugosllavisë në Panama. Gruda ka mbajtur pozitën e sekretarit të parë për marrëdhënie me botën e jashtme në kuadër të Krahinës socialiste autonome të Kosovës.
Nga 2011 deri më 2013 kishte udhëhequr Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.
Zejnullah Gruda kishte folur për çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, ku e kishte refuzuar marrëveshjen e dërguar në Kuvendin e Kosovës për votim.
Ai është autor i disa librave si: “E drejta ndërkombëtare publike ”, “Mbrojtja ndërkombëtare e të drejtave të njeriut” dhe “Kufijtë në dëm të shqiptarëve”. / KultPlus.com