Veliaj i uron ditëlindjen ikonës së kinematografisë shqiptare, Robert Ndrenika

10 Janar, 2025 - 7:00 pm

 Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj përmes një postimi në rrjetet sociale, i ka uruar ditën e lindjes, aktorit të qindra roleve në teatrin, filmin dhe kinemanë shqiptare, Robert Ndrenika.

“Gëzuar Ditëlindjen maestro Robert Ndrenika! Ikonë e artit shqiptar, që vijon të frymëzosh njësoj”, shkruan Veliaj në postimin e tij.

Ndrenika lindi më 10 janar të vitit 1942, në Vuno. Pas diplomimit për aktor, ai nisi të punonte në teatrin “Skampa” në Elbasan. Ndërsa në Teatrin Kombëtar ai nisi të punonte që prej vitit 1974 deri sa doli në pension. “Shumë zhurmë për asgjë”, “Nata e dymbëdhjetë”, “Prefekti”, “Familja e peshkatarit”, “6 vjet shtatzënë”, “Jashtë bie borë” janë disa nga veprat teatrore ku ai ka interpretuar.

Ndrenika ka dhuruar edhe një trashëgimi të pasur kinematografike, duke intrepretuar në role të larmishme, tragjike e komike. Karakteret e realizuara me mjeshtëri nga Ndrenika kanë bërë që jo vetëm rolet, por edhe filmat të bëhen të pavdekshëm.

Në kinematografi numërohen mbi 30 filma, si: “I teti në bronz”, “Kapedani”, “Shtigje lufte”, “Në shtëpinë tonë”, “Koncert në vitin 1936”, “Mësonjtorja” etj. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm Robert Ndrenika mban titujt “Artist i Popullit” dhe “Nder i Kombit”./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme