Veliaj shërben drekën e Kurban Bajramit në qendrën komunitare në Laprakë

16 Qershor, 2024 - 11:00 pm

Me rastin e Kurban Bajramit, bashkia e Tiranës shtroi drekë festive në të gjitha qendrat sociale për familjet në nevojë, të moshuarit dhe personat me aftësi të veçanta.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shërbeu drekën në Qendrën Komunitare për Personat me Aftësi të Kufizuara në Laprakë, nga ku uroi të gjithë besimtarët myslimanë për një Bajram plot mirësi dhe dashuri.

“Një qytet që i trajton të gjithë me respekt, një qytet i mirë, ka vend për të gjithë. Në këto ditë të shenjta festive shpresoj t’ua mbushim jetën me gëzim të gjithë engjëjve që janë këtu. Tirana nuk ka ndryshuar vetëm në infrastrukturë, por edhe në aspektin kulturor dhe social. Sot, të gjithë drejtoreshat e çerdheve dhe kopshteve të trajnuara. Pjesa më e madhe e shkollave të reja janë me ashensor, të aksesueshme nga të gjithë. Por, kam edhe një falënderim për stafin tonë, që punon këtu, sepse meriton respekt dhe mirënjohje”, tha Veliaj.

Ai shtoi se deri dje, në zonën ku ngrihet sot kjo qendër komunitare, ka pasur debat për çështje pronësie, por nënvizoi se Tirana zhvillohet edhe duke negociuar.

“Kur dikujt i ka dalë e drejta e pronës, nuk e diskuton dot askush. Aftësia ime është që, në çdo hapësirë ku dikujt i del e drejta për të zhvilluar pronën e tij, bashkia të marrë një qendër sociale, një kopsht apo një shkollë. Tirana zhvillohet edhe nëpërmjet këtyre negociatave, ku privatit i lë hapësirën e tij, por ama do  japësh diçka për komunitetin, përveç taksës. Por, kam edhe një falënderim special për disa heronj, që ndoshta harrojnë t’i përmendim: e kam fjalën për prindërit, ata janë heronjtë e vërtetë. Janë ata që i kanë kushtuar jetën, që nuk dorëzohen, që refuzojnë të heqin dorë nga kjo detyrë dhe mision. Për prindërit heronj që janë këtu sot, e kam zemrën plot me mirënjohje sepse e kuptoj me çfarë sfide të jashtëzakonshme përballen çdo ditë”, u shpreh ai.

Veliaj kishte edhe një thirrje për qytetarët, që i çojnë fëmijët në të njëjtat shkolla me fëmijët e qendrës komunitare, që t’i mësojnë ata se socializimi nuk i dëmton, përkundrazi i bën më të dashur dhe më të mbarë në shoqëri. / KultPlus.com

Të ngjajshme