19 Prill, 2024 - 8:38 pm
Projekti “Veliera” në Durrës do të krijojë një hapësirë të re publike për këmbësorët e qytetit, vizitorët dhe turistët e qytetit bregdetar.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako pa nga afër punimet që po kryhen për këtë projekt.
“Ka dashur kohën e vet dhe imagjino sa kohë u humb nga ata që u vunë kundër, me historira Prokurorie, jo do preket, jo nuk do preket Durrësi i lashtë, budallallëqe, e gjithë ajo kohë e humbur. Si nuk bëmë një punë të re inovative që nuk na u vunë mbrapa, si ka mundësi? Që në kohën e bashkisë deri më sot, si nuk u bë një punë që të bëhet dhe jo të thonë “bravo”, por të të lënë ta bësh pa të penguar, pa të nxjerrë njerëz, pa të nxjerrë probleme, pa të ngritur akuza. Megjithatë, këtu mbaron. Më 1 qershor duhet të bëjmë këtu festën e fëmijëve. Për sezonin kjo mund të bëhet kryevepër”, u shpreh Rama.
Rama tha se Veliera u pengua nga lloj-lloj patriotësh, historianësh, ekologësh, shkencëtarësh e politikanësh.
Sipas Ramës, Veliera sot po merr formën përfundimtare.
“Një kryevepër arkitektonike, e cila krijon një hapësirë të re publike për këmbësorët e qytetit, vizitorët e turistët gjithnjë e më të shumtë, si edhe një tjetër kartolinë të Shqipërisë së Rilindur Turistike”, theksoi Rama.
Veliera do të jetë jo vetëm një atraksion më shumë turistik, në prag të këtij sezoni, por dhe një hapësirë publike për evente apo koncerte. Tenda është rreth 60 metra e gjatë dhe 40 metra e gjerë, dhe mbështetet vetëm në katër pikat kulmore të përbëra nga po aq shufra të stabilizuar në inoks çelik, si direku i një anijeje me vela, nga katër kavot, të cilat të kujtojnë tamam litarët e përdorur në anijet me vela./KultPlus.com