6 Gusht, 2023 - 12:30 pm
“Vendi i Dëshmisë dhe i Kujtesës” në Shkodër, është i pari vend kujtese historike në rang kombëtar, i cili përkujton viktimat, metodat, torturat e ushtruara gjatë regjimit komunist mbi mijëra të pafajshëm.
Bashkia e Shkodrës solli sot në vëmendje foto nga vizitat në këtë muze i cili rezulton ndër më të vizituarit në qytet.
Bashkia e Shkodrës solli dhe disa fakte historike rreth muzeut.
E ndërtuar në gjysmën e dytë të shek XIX, struktura në pronësi të Provincës Françeskane ishte një kolegj, ku edukoheshin dhe arsimoheshin fëmijë, që pastaj ndiqnin rrugën meshtarake. Në vitin 1946, me vendim të qeverisë së asaj kohe, godina dhe hapësira përreth u sekuestruan, duke e kthyer në Degën e Punëve të Brendshme për qytetin e Shkodrës.
Tashmë kjo ndërtesë vjen e rikonceptuar si një vend kujtese, ku pjesa më kulmore janë qelitë origjinale të paraburgimit. Hapësira është e ndarë në dy kate, por qelitë e katit të parë janë ato ku vuanin dënimin të burgosurit politik. Në mjediset jashtë qelive ndodhet oborri i ajrimit me një derë hekuri që kishte komunikim direkt me zyrat e hetuesisë.
Një tjetër hapësirë e rëndësishme është fondi bibliotekar me vepra të shumta mbi të kaluarën komuniste, memuaristikë, dëshmi, dokumenta dhe gazeta me propagandën e kohës.
Që nga hapja e tij në vitin 2014, “Vendi i Dëshmisë dhe i Kujtesës” në Shkodër është një nga pikat më të vizitueshme nga turistët vendas dhe të huaj që vizitojnë Shkodrën.
Vizitorët mund të njihen me fotografitë dhe emrat e të dënuarve nga sistemi komunist. Nuk mungojnë objektet e përdorura prej tyre, shënimet apo dhe letërkëmbimet e bëra me familjarët./atsh/KultPlus.com